Partia Demokratike vijon ‘betejën’ mes vetes! Ndonëse një ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD-së i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, anuloi zgjedhjet për kryetar që pritet të mbahen më 29 korrik, sot grupimi i mbështetësve të Lulzim Bashës, lajmëruan se nesër do të zhvillohet procesi zgjedhor.

Sot zyra e shtypit të Partisë Demokratike, ka u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve që të marrin pjesë në votim për ringritjen e PD-së, ndërsa ka bërë publike edhe qendrat e votimit ku do të votojnë anëtarët.

‘Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00. Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë.’- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit n PD.

Pak ditë më parë kreu Komisionit Zgjedhor në PD Jemin Gjana tha se lista e anëtarësisë që do të votojnë është 25 mijë anëtarë, nga 50 mijë që ishin në total.

Vendimet e Këshillit për anulimin e zgjedhjeve dhe pezullimin e funksionit të Kryesisë, e fusin Partinë Demokratike në një tjetër ngërç, pasi dy grupet brenda PD zyrtare po vijojnë me veprime të njëanshme. Grupi i Bardhit po përpiqet të pengojë Bashën që të vendoset sërish në krye të partisë, ndërsa grupi i Bashës vijon me vendosmëri rrugën për rikthimin e tij në drejtimin e PD dhe të shtunën do të mbajnë procesin zgjedhor.

Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 korrik për kryetarin e ri. 7 deputetët Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Sajmir Korreshi dhe Ramadan Likaj kërkuan anulimin e zgjedhjeve dhe kjo bëri që Bardhi të thërrasë Këshillin Kombëtar. Nga ana tjetër, Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

Qëndrat e votimit për zgjedhjet e nesërme të PD-së
Qëndrat e votimit për zgjedhjet e nesërme të PD-së