Konferenca ndërkombëtare për zhvillimin dhe migrimin që po zhvillohet në Farnesina u hap me fjalimin e Giorgia Meloni.
“Ajo që ne po inaugurojmë është mbi të gjitha një dialog mes të barabartëve, i bazuar në respektin reciprok, sepse nuk mund të ketë një marrëdhënie konkurruese apo konfliktuale midis Evropës dhe Mesdheut të zgjeruar. Në realitet interesat janë shumë më konvergjente sesa ne vetë e pranojmë”, tha Meloni në fjalimin e saj.
“Kemi nevojë për një angazhim të përbashkët për të luftuar rrjetin e trafikantëve që menaxhojnë emigracionin ilegal. Prioriteti ynë duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit operacional mes forcave tona policore dhe autoriteteve gjyqësore, angazhimi për të ndjekur penalisht trafikantët e qenieve njerëzore, për të përditësuar legjislacionin, në mënyrë që puna e bërë nga një komb të mos bëhet e kotë nga rrjetet e gjera të trafikantëve”, tha ndër të tjera Meloni.
Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh se duhen goditur trafikantët dhe të hapen rrugë të reja ligjore mes vendeve për të krijuar një alternativë reale dhe të sigurt për udhëtimet e rrezikshme detare.
“Ne duhet të godasim trafikantët dhe të shkatërrojmë modelin e tyre cinik të biznesit. Hapja e rrugëve të reja ligjore midis vende tona mund të krijojë një alternativë reale dhe të sigurt për udhëtimet e rrezikshme detare.
Në BE ne po punojmë për të promovuar zhvendosjen dhe pranimin humanitar. Ne duhet të bashkojmë forcat për të çmontuar modelin mizor dhe të paligjshëm të kriminelëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin për gënjeshtrat që përhapin trafikantët”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen