Policia e Krujës ka vënë në pranga dy shtetas të cilët ishin shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Në fshatin Shkozë, u arrestua një 36-vjeçar, banues në Thumanë. Ky shtetas së bashku me babain e tij dhe një shtetas tjetër (i arrestuar më parë), ka kultivuar 925 fidanë kanabis në 10 sera në afërsi të banesës së babait të tij.

Po ashtu në Fushë Krujë u arrestua një 35-vjeçar, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penalë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i policisë:

Krujë/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Kërkimi”.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e Komisariarit të Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në inteligjencën policore për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kërkimi”, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në fshatin Shkozë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kapën shtetasin 36 vjeç, banues në Thumanë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar 36-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Shtetasi 36 vjeçar në bashkëpunim me babanë e tij dhe me një shtetas tjetër (i arrestuar më parë), ka kultivuar 925 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, në 10 sera në afërsi të banesës së babait të tij.

Gjithashtu, në Fushë Krujë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kapën shtetasin në kërkim 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.