Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë këtë të enjte. Ai është pritur në një takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Sipas axhendës së kreut të qeverisë shqiptare, në orën 17:15 është parashikuar edhe një takim me kreun e parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ndërkohë është në pikëpyetje takimi me homologun e tij, Albin Kurti, i cili ende nuk ka konfirmuar nëse do të realizohet apo jo. Kujtojmë se nga Shkupi, aty ku kryeministri Rama nisi turin e tij ballkanik, i kujtoi Kurtit që ende nuk ka konfirmuar takimin me të, atë çka thotë Kanuni kur dikush të vjen në shtëpi.
“Kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrë jashtë”, u shpreh Rama. (Lexo më shumë). Kryeministri Rama do të qëndrojë mbrëmjen e sotme në Prishtinë. Nesër ai do të vijojë takimet në Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Beograd. Me turin e ndërmarrë në 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi është fokusimi i plotë i të 6 vendeve të rajonit tek Procesit i Berlinit.