Kryeministri Rama ndodhet në Sarajeve në ditën e dytë të turit ballkanik për Procesin e Berlinit
Përmes një postimi në rrjete sociale ia ka treguar se është takuar me anëtarin e Kryesisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Denis Beqiroviq.
Më herët Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo, ku zbuloi se se në mesin e korrikut planifikon të zhvillojë një takim mes liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian për të diskutuar mbi procesin e Berlinit.
Rama po vazhdon takime me krerët e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Një ditë më parë ai zhvilloi takime në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ranë dakord në nevojën e maksimalizimit të përfitimeve ekonomike përmes projekteve të parashikuara në Iniciativën e Berlinit.
Gjatë qëndrimit në Kosovë ditën e djeshme ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Një takim me kryeministrin Albin Kurti mbeti pa u realizuar, edhe pse Rama u shpreh optimist se do të ketë një të tillë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, veprim ky përmes të cilit, siç tha ai, ia ka hequr ‘merakun’ homologut të tij.
Kurti pranonte të takohej me Ramën vetëm në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive dhe jo takim kokë më kokë.