Nga Albert Nikolla

Besoj se ndryshimi ndërmjet sjelljeve të Ramës dhe Kurtit, më shumë se politik, është kulturor, botëkuptimor. Rama është tharmuar me dëshirën e një bote të hapur qyshkur jetonte brenda kufinjëve të një Shqipërie të mbyllur! Për Kurtin, që besoj gabimisht i ka mbetur ideja e shenjës së barazimit midis Jugosllavisë dhe krejt botës, Kosova duhet të “mbyllet” sepse vetëm kështu ekziston si shtet me identitet të qartë!

Rama është antikomunist në thelb dhe kjo e bën që të mos shikojë “armiq” te bota e hapur, ndërkohë që për Kurtin bota, kryesisht ajo perëndimore, mund të jetë armiqësore me Kosovën! (Sepse bota e Jugosllavia për Kurtin janë e njëjta gjë)! Për Ramën politika është në thelbin e saj kulturë, në kuptimin më të gjerë të fjalës, ndërkohë për Kurtin është bash e kundërta e vërtetë: çdo element kulture nuk mund të jetë gjë tjetër veçse politikë!

Për vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova, besoj është e dobishme qasja e Ramës pasi shteteve tona u duhet hapje e administrim dinamik pasi politikën e madhe e bëjnë tashmë superstrukturat politike e jo shtetet e vogla me natyrë prej principate!

Për Ramën shqiptaria është ajo çka shqiptarët mund t’i dhurojnë e dëshmojnë botës, ndërkohë për Kurtin shqiptaria ka një kuptim anakronik që ndërthuret diku midis nacional komunizmit dhe rilindjes shqiptare: shqiptarët vendosin vetë për çdo gjë (Vetëvendosje) e janë zot në shtetin e tyre! Koncept ky tashmë i papërshtatshëm në një bashkësi europiane!
Për Ramën nuk ka një Shqipëri staliniste që mbijeton, por një Shqipëri që bashkëjeton e bashkekziston me fqinjët. Kjo është e vlefshme edhe për personat njerëzorë, aq më shumë është për shtetet e sodit!

Për Kurtin, paradoksalisht vetë-vendosja është më e rëndësishme se vetja, pra Kosova si e tillë!