Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e komentoi marrëveshjen e arritur më 10 korrik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, rreth hapave për shtensionimin e situatës në veri, por foli për kërkesat që komuniteti ndërkombëtar i ka vendosur përpara Beogradit dhe Prishtinës, për uljen e tensioneve.
“Tani do të shihni një truk tjetër që disa njerëz nga Perëndimi po përpiqen ta zbatojnë. Dhe kjo nënkupton [që ata do të thonë] – kthehuni dhe flisni normalisht”, tha Vuçiç duke shtuar se mënyra që kërkohet për shtensionimin e veriut, është e pakuptimtë për të.
“Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, tha Vuçiç, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore në veri të vendit.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.