Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi gjatë fjalës së saj në seancën parlamentare, ku pritet të votohet projektligji për trajtimin e veçantë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë u shpreh se qeveria ka detyrimin të garantojë shërbim shëndetësor për qytetarët.
Pjesë nga fjala e ministres:
Sot do të miratojmë projektligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Një ligj i cili ka ngjallur diskutime, ka ngjallur debate edhe në komisionet parlamentare, në media dhe në opinionin publik. Por qartazi, ata që e mbështesin ligjin janë, shumë më shumë në numër, se sa ata që e kundërshtojnë atë. Nga njëra anë kemi opozitën dhe një pjesë të studentëve, të cilët e kundërshtojnë me pretendimin se ligji është antikushtetues, antidemokratik. Nga ana tjetër kemi opinion e gjerë publik, kemi mjekët, kemi qytetarët, kemi ekspertët, kemi madje prindërit e studentëve të cilët jo vetëm na mbështesin në këtë iniciative, por madje dhe na falënderojnë. Sepse thelbi i ligjit është garantimi i jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Dua ta theksoj që në fillim se ligji nuk është antikushtetues, ligji nuk detyron askënd. Ligji i jep mundësinë të zgjedhin. Marrëveshjen do ta nënshkruajnë vetëm ata duan, që e mendojnë, që e ndjejnë që pas diplomimit duan të punojnë dhe kontribuojnë 2, 3 apo 5 vite në Shqipëri. Thelbi i ligjit është të mbështesim akoma më shumë ata që do të qëndrojnë në Shqipëri, ata që do të kontribuojnë për të ofruar shërbim shëndetësor në institucionet tona. Pra ligji jo vetëm nuk është anti kushtetues, por përkundrazi ligji është një mekanizëm që ne të përmbushim detyrimin kushtetues që ne kemi për të plotësuar nevojat me mjekë dhe profesionistë të fushës së mjekësisë në spitale, në qendra shëndetësore, pra të plotësojmë nevojat për burime njerëzore në institucionet tona shëndetësore. Pyetja që natyrshëm lind: po mirë po sot, a i plotësojmë dot këto nevoja. Nuk ka dyshim që sot, shërbimi që marrin qytetarët në institucionet shëndetësore është shumë herë më i mirë nga shërbimi që merrnin para disa vitesh. Por është po aq e vërtetë që kemi shumë punë, që ende nuk jemi aty ku duhet. Nga njëra anë ne në institucionet tona shëndetësore, kemi 5400 mjekë që po t përkthejë më treguesin, standardin e numrit të mjekëve për 1000 banorë është 1.93 mjekë për 1000 mijë banorë. Sigurisht para pak vitesh ishte 1.2, ne kemi arritur ta rrisim këtë tregues në 1.93, por ende jemi larg standardit që dëshirojmë dhe kemi ambicie. Në vendet e tjera të rajonit ky standard është 2.6 mjekë për 1 mijë banorë, ndërsa në vende të zhvilluara të OECD, ky standard është 3.6 mjekë për një mijë banorë.