Të enjten e 27 korrikut, Euro pa një rritje të fortë kundrejt Lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye në vlerën e 104.87 lekëve, në rritje me 2.65 lekë krahasuar me ditën e djeshme dhe me 4.38 lekë krahasuar me minimumin historik prej 100.49 lekëve që u arriti të enjten e kaluar.

Agjentët e tregut bëjnë me dije se bankat tregtare kanë dalë në blerje të valutës, duke shtuar kërkesën dhe duke e rritur kursin me ritme të larta. Ekspertët besojnë se kjo situatë është tipike e kërkesave në vlera të mëdha nga klientë korporativë. Bankat po blejnë valutë për të përmbushur këtë kërkesë ose për të mbyllur pozicionet nga shitjet në vlera të mëdha të realizuara.

Shqipëria ka parë një rritje të suficitit në 6-mujorin e parë të vitit. Buxheti ishte në suficit prej 46.2 miliardë lekësh në gjashtë muajt e parë të vitit, krahasuar me një suficit prej 15 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat paraprake.

Të ardhurat e buxhetit të konsoliduar u rritën me 14,5% nga viti në vit në 320 miliardë lekë në gjysmën e parë të 2023, ndërsa shpenzimet u rritën me 3,6% në 274 miliardë lekë. Kujtojmë se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur procedurat për blerjen e energjisë elektrike duke iu referuar ankandeve të mbajtura në periudhën 15-23 korrik.

Shuma totale e blerë arrin në 50 mijë e 800 MË, për të cilat janë shpenzuar 5 milionë e 988 mijë e 570 euro. Shqipëria ka qenë një prodhues i tepërt i energjisë elektrike që nga nëntori, kur pati një sasi të madhe reshjesh, duke e ngritur nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës në kuotat më të larta historike.

Vitin e kaluar importet e energjisë nga KESH luajtën një rol të konsiderueshëm në kursin e këmbimit dhe sollën rritje të përkohshme të kursit, siç ndodhi në muajin mars 2022. Megjithatë, pas nëntorit 2022, rritja e prodhimit të brendshëm të energjisë ulu nevojën për importe dhe ndikoi në uljen e kërkesës për euro dhe në rënien e kursit të monedhës evropiane në muajt e fundit të vitit. Me sa duket, rifillimi i importeve të energjisë mund të jetë një faktor që do të ndikojë përsëri kursin e këmbimit valutor.

Agjentët mendojnë se në treg mund të ketë pasur edhe subjekte të tjera që kishin zgjedhur këtë periudhë të vitit për të blerë valutë, mbështetur në pritshmëritë për rënien sezonale të kursit Euro-Lek. Rritja e shpejtë e Euros, ka tërhequr pas vetes edhe shumicën e valutave të tjera të rëndësishme.

Dollari Amerikan u këmbye me 94.23 lekë, duke prekur nivelin më të lartë në dy javët e fundit. Edhe Paundi Britanik u rrit, duke arritur vlerën e 122.29 lekëve dhe duke prekur gjithashtu nivelin më të lartë në më shumë se dy javë. Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.