Shqipëria nuk po arrin dot të fitojë luftën kundër pastrimit të parave. Në një kohë që vendi vijon të mbesë në “listën gri” të Moneyval, në Parlament është depozituar një projektligj që synon ta kthejë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në një agjenci në varësi të Këshillit të Ministrave. Baza e re ligjore parashikon rritje pagash dhe më shumë kompetenca për agjencinë. Referuar relacionit të projektligjit, me qëllim uljen e numrit të dorëheqjeve, pagat do të rriten mesatarisht me 30%, ndërsa agjencia nuk do të ketë më vetëm detyrën e parandalimit, por edhe të zbulojë rastet e pastrimit të parave.

Brikena Kasmi, ish-zv/ministre e Drejtësisë, shprehet për A2 CNN: “Kemi vënë re se sa herë Shqipëria është në listën gri, thuajse çdo dy vite ndërmerren nisma ligjore që më shumë shërbejnë si kozmetikë e ligjit të vitit 2008, që në fakt është miratuar në bazë të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare si FATF dhe Moneyval”.
Ndërkohë, punonjësit e agjencisë nuk do të kenë më statusin e Nëpunësit Civil, por do të jenë direkt nën juridiksionin e Këshillit të Ministrave: “Në fakt, kjo nismë nuk zgjidh asnjë nga çështjet. Përkundrazi, thellon problematikat. Kalimi i statusit të Nëpunësit Civil në një status më pak të mbrojtur siç është Kodi i Punës në fakt e bën agjencinë thjesht një kompani”.

Baza e re ligjore garanton teorikisht që agjencia të përfitojë aksese të reja për të gjurmuar transkasionet që bëhen në kriptovaluta, si një formë e re e pastrimit të parave. Brikena Kasmi thekson: “Duhet të koordinojë të dhënat me Prokurorinë e Përgjithshme, Bankën e Shqipërisë, ato të nivelit të dytë dhe gjithë institucionet e tjera për të zbuluar këto raste”. Projektligji “Për parandalimin e Pastrimit të parave dhe Financimit të Terrorizmit” po shqyrtohet në komisionet parlamentare për të shkuar më pas për votim në Kuvend.