Gjenerali përgjegjës për ofensivën e Ukrainës në jug thotë se Rusia ka krijuar fusha të minuara në shumë shtresa dhe linja mbrojtëse të fortifikuara, të cilat e bëjnë të vështirë kalimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë tankeve dhe automjeteve të blinduara të furnizuara nga Perëndimi. “Kjo është arsyeja pse shumica e detyrave duhet të kryhen nga trupat,” thotë gjenerali Oleksandr Tarnavskyi për transmetuesin publik britanik, BBC. Ai thotë se ushtria ruse ka shfaqur “cilësi profesionale” duke parandaluar “përparimin e shpejtë” të forcave ukrainase.
“Unë nuk e nënvlerësoj armikun”, shton ai.
Deri më tani nuk ka shumë dëshmi që tanket dhe automjetet e blinduara të furnizuara nga Perëndimi kanë arritur ta kthejnë ekuilibrin në favor të Ukrainës. Disa tanke të llojit Leopard dhe automjete luftarake amerikane Bradley janë dëmtuar ose shkatërruar qysh në ditët e para të ofensivës, pranë qytetit të Orihivit. Brigada e 47-të e Ukrainës, e cila kryesisht ishte trajnuar dhe pajisur nga Perëndimi për të depërtuar në linjat ruse, ndali avancimin e shpejtë shkaku i minave dhe më pas u shënjestrua nga artileria ruse.
Rusia publikoi video të shumta të një incidenti, ku pretendonte se ofensiva e Ukrainës tashmë kishte dështuar. Por, në realitet, ajo ishte vetëm një pengesë dhe jo një goditje vendimtare. BBC-ja vizitoi punëtorinë e jashtme të së njëjtës brigadë, të fshehur në një pyll prapa vijës së frontit, ku ata tani po përpiqen të riparojnë më shumë se një dhjetëra automjete të blinduara, shumica prej tyre të dhuruara nga SHBA-ja.
Ata fillimisht ishin të padëmtuar, por tani mbajnë në vete plagët e betejës. Pjesët e tyre të thyera dhe rrotat e shtrënguara tregojnë se disa kanë goditur minat ruse. Serhii, një nga inxhinierët, thotë se “sa më shpejt t’i riparojmë, aq më shpejt mund t’i kthejmë në vijën e frontit për ta shpëtuar jetën e dikujt”. Por ai gjithashtu pranon se disa janë aq të dëmtuara saqë do të duhet ose të prishën për t’u përdorur për pjesë këmbimi ose “t’iu kthehen partnerëve tanë” për t’u rindërtuar.
Përderisa automjetet e blinduara perëndimore u kanë ofruar trupave ukrainase mbrojtje më të mirë, ato nuk kanë mundur të kalojnë lehtësisht rreshtat e minave ruse. Këto mina përbëjnë një nga barrierat më të mëdha për përparimin e Ukrainës. Duke udhëtuar në frontin jugor, gazetarët e BBC-së panë edhe automjete të blinduara të llojit Mastiff, të dhuruara nga Britania e Madhe, të dëmtuara dhe të shkatërruara.
Brigada e 47-të po përdor tani disa nga tanket e saj më të vjetra të epokës sovjetike për t’i pastruar fushat e minuara. Por, edhe ato automjete nuk mund t’u shpëtojnë eksplozivëve të fshehur në tokë, edhe kur janë të pajisur me pajisje speciale për pastrimin e minave.
Më afër vijës së frontit, komandanti i tankeve Maksym tregon një tanke T-64 të dëmtuar së fundi. Ajo është pajisur me dy rrotulla në pjesën e përparme për të aktivizuar qëllimisht minat. Ai humbi një nga këto rrotulla një natë më parë ndërsa po përpiqej të hapte një shteg për trupat.
“Normalisht, rrotullat tona mund të përballojnë deri në katër shpërthime”, thotë ai. Por rusët, shton ai, kanë vendosur mina njëra mbi tjetrin për t’i shkatërruar pajisjet e pastrimit të minave. “Është shumë e vështirë sepse ka shumë mina”, thotë Maksym, duke shtuar se shpesh ka pasur më shumë se katër rreshta të fushave të minuara para linjave mbrojtëse ruse.
Këto kushte e kanë bërë të dhimbshme betejën për Doc-in dhe ekipin e tij të zbulimit të dronëve nga Ushtria Vullnetare e Ukrainës. Doc, që është nofka e tij, mori pjesë në ofensivën e suksesshme të vitit të kaluar në Herson. Por, ai thotë se këtë herë beteja po rezulton të jetë shumë më e ashpër. Për herë të parë në luftë, thotë ai, ushtarët po plagosen nga minat më shumë se nga artileria: “Kur shkojmë përpara takojmë fusha të minuara kudo”.
Doc-u e tregon një video që ai e ka filmuar së fundi me një prej dronëve të tij gjatë kohës kur trupat ukrainase po përparonin drejt një llogore ruse. Në atë video shihet një shpërthim masiv sapo ushtarët avancojnë, shkaku i minave. Doc thotë se forcat ruse tani po përdorin mina të kontrolluara nga distanca. “Kur ushtarët tanë arrijnë në llogore, ata shtypin një buton dhe ato shpërthejnë, duke vrarë miqtë tanë”.
Ai thotë se e ka parë këtë taktikë duke u përdorur gjatë dy javëve të fundit dhe e quan atë “një armë të re”. Gjenerali Tarnavsky thotë se forcat e tij po bëjnë “punë të vështirë dhe të mundimshme”. Ai thotë se “çdo mbrojtje mund të thyhet, por duhet durim dhe veprime të shkathëta”.
Ai gjithashtu beson se Ukraina po e lodh ngadalë armikun e saj. Rusisë, thotë ai, nuk i intereson humbja e njerëzve dhe ndryshimet e fundit në udhëheqjen e saj ushtarake “do të thonë se gjithçka nuk është në rregull”. “E ngadaltë apo jo, ofensiva po zhvillohet dhe patjetër do të arrijë qëllimin e saj”, thotë ai.
I pyetur nëse kjo ofensivë ka qenë e suksesshme apo një dështim, ai thotë se “nëse ofensiva nuk do të ishte e suksesshme, nuk do të flisja me ju tani”.