Moti për ndeshjen me Beshiktashin do të jetë perfekt. Koha në Turqi do të lejojë një sfidë në kushte të mira. Temperaturat variojnë nga 20 deri në 27 gradë celsius, ndërsa ditën e ndeshjes mundësia që të bjerë shi është e vogël. Ndeshja do të luhet në Stamboll dhe nis në orën 20:00.
Tirana vjen nga një kualifikim në Ligën e Konferencës, teksa bardheblutë, barazuan sfidën e parë në Tiranë 1-1 dhe në sfidën e dytë ia dolën të fitonin në Batumi 2- 1.
Kujtojmë që presidenti Refik Halili u ka premtuar lojtarëve pas ndeshjes në Gjeorgji, që gjithë bonusin, të cilin do të marrë nga Beshiktashi do t’ua japë lojtarëve.
Në “Vodafone Arena” pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot dhe kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë deri në fillim të ndeshjes, janë shitur plot 80% e biletave.
Mediat turke raportojnë se janë shitur mbi 34 mijë bileta, nga 40 mijë e 300 që janë në total. 6 mijë biletat e mbetura pritet që të përfundojnë të enjten në mëngjes dhe në ndeshjen e parë të sezonit të ri, Beshiktashi do të përballet me bardheblutë e Tiranës në një stadium të mbushur plot, ashtu si shumë ndeshje të tjera të kampionatit turk.