Merr një kthesë të madhe e ardhmja e Romelu Lukakut. Përfaqësues të klubit të Interit nuk kanë mundur të komunikojnë me sulmuesin belg dhe menaxherin e tij. Zikaltërit hodhën hapa vendimtarë drejt Chelsea, duke e çuar ofertën në 35 milionë euro, plus 5 milionë bonuse.
Ata morën “po” e lakmuar nga blutë e Londrës, duke i premtuar “BigRom” të ardhme të qëndrueshme, pavarësisht blerjes së Thuram jr. Sulmuesi belg dukej se ishte bindur, por gjithçka shpërtheu “me zë të lartë” në orët e fundit. Lukaku duke marrë kohën e tij për të vendosur po pret Juventusin.
Ai duhet të zgjedhë shpejt nëse do të mbajë paktin e nderit me Interin, ose do të kërkojë një aventurë të re diku tjetër. Medita italiane hedhin dritë mbi atë që po ndodh në trekëndëshin Chelsea-Inter-Lukaku, me zhvillime të papritura në orët e fundit: “Lukaku dhe agjenti dribluan përmes telefonatave të Interit, ndërsa prisnin lëvizjet e Juventusit.
Prandaj, gara e dyanshme për të siguruar shërbimet e sulmuesit duket për momentin në favor të bardhezinjve. Në fakt, për të përfunduar marrëveshjen me Chelsea, Juventusit i nevojiten të ardhurat e shitjes së Vlahovic, që tani është i destinuar për te PSG. Megjithatë, e gjitha kjo do të zgjaste rreth një javë dhe prandaj Lukaku po merr edhe pak kohë, teksa është kthyer në Belgjikë nga pushimet.