Vendosja e Yevgeny Prigozhin në Minsk pas rebelimit të dështuar të grupit Wagner ndaj Putin, duket të jetë një lëvizje e mire kalkuluar nga Presidenti i Bjellorusisë Aleksandr Lukashenko.

Telefonata e tij me Prigozhin ishte vendimtare për të shmangur luftën civile në Rusi, ndaj Lukashenko po përpiqet të përfitojë sa të mundë nga Wagner.

Së fundmi ai ka ftuar mercenarët e grupit Wagner në vendin e tij për të trajnuar ushtrinë e Bjellorurisë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko e drejtoi ftesën e tij për Wagner gjatë një fjalimi të kësaj të premte kushtuar Ditës së Pavarësisë së Bjellorusisë.

“Për fat të keq, ata (mercenarët e Wagner-it) nuk janë këtu. Nëse instruktorët e tyre vijnë dhe na ndihmojnë me përvojën e tyre luftarake, ne do ta pranojmë këtë përvojë”, tha Lukashenko.

Ftesa nga Presidenti bjellorus vjen vetëm një javë pasi atij iu njoh merita për shuarjen e kryengritjejes së armatosur. Si pjesë e marrëveshjes që Lukashenko negocioi me Wagner, mercenarëve të Prigozhin iu dha mundësia që të regjistroheshin në ushtrinë ruse ose agjencitë e zbatimit të ligjit, të ktheheshin te familja dhe miqtë e tyre, ose të shkonin në Bjellorusi.

Në fjalimin e tij të premten, Lukashenko tha ndër të tjera se nuk kishte frikë nga anëtarët e grupit Wagner pasi i njihte ata prej një kohe të gjatë.

“Këta janë njerëz që luftuan në të gjithë botën për të krijuar një qytetërim normal. Perëndimi i urren ata deri në palcë”, tha ai.

Lukashenko gjithashtu paralajmëroi se po afrohej një “krizë ushtarako-politike në shkallë botërore e paprecedentë në historinë e njerëzimit” dhe kritikoi Perëndimin se nuk po dialogon për ta zgjidhur atë.

Ai akuzoi Bashkimin Evropian dhe SHBA për armatosjen e Polonisë me një ritëm të përshpejtuar dhe u shpreh se Perëndimi po e trajnon Poloninë për ta përdorur kundër Bjellorusisë dhe Rusisë.

“Kështu po krijohet një vatër tensioni, po krijohet një bastion tjetër për agresionin e vendit më agresiv në botë dhe, për fat të keq, më të fuqishmit – Shteteve të Bashkuara”, shtoi Lukashenko.