5 Korrik, Tiranë- Miratohet në Këshillin e Ministrave projektligji për trajtimin prioritar të studentëve të Mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve. Vendimi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë, teksa Ministret Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi kanë sqaruar detaje të këtij projektligji.
“Të gjithë studentët që do të lidhin marrëveshje, siç parashikohet në këtë akt ligjor, me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Universitetin e Mjekësisë, të mundet që të kenë punësim prioritar në strukturat shëndetësore, si dhe të përfitojnë pas punësimit të tyre, nga politikat e strehimit social, pa i penguar të drejtën e specializimit në këto vite të qëndruarit të tyre dhe të të ushtruarit të profesionit të tyre. Sigurisht që detyra jonë është që të garantojmë kujdes shëndetësor për qytetarët shqiptarë, me personel të kualifikuar, në përgjigje të sfidës së mobilitetit të mjekëve dhe ndryshimeve demografike”,- tha Manastirliu.
Duke folur për një plan të gjerë të përgatitjes, mbajtjes dhe fuqizimit të burimeve njerëzore në shëndetësi, Ministrja Manastirliu foli edhe për masat e tjera për t’ju përgjigjur sfidës së mobilitetit të mjekëve.
“Në vitin 2024, së bashku me Ministrinë e Arsimit, Fakultetin e Mjekësisë, do të rrisim numrin e kuotave në Mjekësi, duke e çuar në 500 numrin e kuotave të pranimit. Pra, jemi duke punuar në disa drejtime paralelisht, për të garantuar që të kemi mjekë, të cilët diplomohen edhe më shumë në vitet në vazhdim. Dhe nga ana tjetër, të kemi dhe trajtimet preferenciale sipas kësaj pakete, e cila sigurisht krijon disa instrumenta mbështetjeje për studentët, të cilët më pas, pas diplomimit të tyre dhe mundësisë për t’u punësuar, të kenë edhe trajtime të tjera nga shteti, nëpërmjet këtyre politikave që ne po krijojmë”,- tha Manastirliu.
Sot qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të miratuar një projektligj, i cili ka të bëjë me një paketë mbështetjeje për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme në institucionet publike të arsimit të lartë. Sipas këtij projektligji, studentët që do të pranohen në vit të parë në Mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje per t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfunidmit të studimeve, duke ju garantuar punësimin dhe politika të tjera lehtësuese. Ndërsa, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundesi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërt, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.
Home Lajme Aktualitet Manastirliu:Paketë mbështetje për studentët e mjekësisë punësim prioritar dhe politika lehtësuese