Mbi një mijë njerëz janë arrestuar në Francë pasi trazirat u intensifikuan pas vrasjes së një djali 17-vjeçar me origjinë arabe nga policia pak më shumë se një vit përpara se Parisi dhe qytetet e tjera në Francë të organizojnë Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike 2024.

Franca ka vendosur 45,000 oficerë policie në përgjigje të raporteve që dalin se situata është kaotike në qytete si Marseja dhe Lioni.

“Marseille Marina” do të presë ngjarjet e lundrimit vitin e ardhshëm në Lojëra, ndërsa “Stade Velodrome” do të organizojë futbollin e meshkujve dhe femrave.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin dënoi “dhunën e papranueshme në Lion dhe Marsejë”, ku transporti publik u ndal dje (të premten)

Kryetari i Bashkisë së Marsejë, Benoit Payan ka kërkuar trupa shtesë në qytetin ku u bënë më shumë se 80 arrestime pasi ndërtesat dhe automjetet u dogjën dhe dyqanet u plaçkitën.

Sipas “Le Parisien”, “pesë deri në tetë” pushkë gjuetie u vodhën nga një dyqan në Marsejë. Qyteti duhej të priste sot një festival të Krenarisë, i cili tani është anuluar.

“Në Marsejë, skenat e grabitjes dhe dhunës janë të papranueshme”, shkroi ai në Twitter.

“Unë i dënoj fuqishëm këto akte vandalizmi dhe i bëj thirrje shtetit që të dërgojë menjëherë forca shtesë të zbatimit të ligjit”, theksoi ai.

Dhuna e policisë dhe racizmi ka qenë një temë e përsëritur në Francë dhe protestat mbarëkombëtare shpërthyen pasi Nahel M u qëllua nga policia gjatë një kontrolli rrugor në Paris.

Kombet e Bashkuara i kërkuan Francës të adresojë “çështjet e saj të thella të racizmit dhe diskriminimit në zbatimin e ligjit” që nga vrasja.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka mohuar racizmin sistematik në agjencitë franceze të zbatimit të ligjit.

Fituesi i Kupës së Botës, Kylian Mbappe bëri një deklaratë në mediat sociale, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund trazirave.

Mbappe shprehu ngushëllime familjes së djalit dhe shtoi se “dhuna nuk zgjidh asgjë”.

“Dhuna nuk zgjidh asgjë, aq më pak kur kthehet në mënyrë të pashmangshme dhe të palodhshme kundër atyre që e shprehin atë, familjeve të tyre, të dashurve dhe fqinjëve”, ka shkruar ai. “Është prona juaj që po shkatërroni, lagjet tuaja, qytetet tuaja, vendet tuaja”.

“Në këtë kontekst tensioni ekstrem, ne nuk mund të heshtim dhe ndërgjegjja jonë qytetare na inkurajon të bëjmë thirrje për qetësim, ndërgjegjësim dhe llogaridhënie”, shkroi ai ndër të tjera.

Lioni ishte ndër qytetet më të prekura me ndërtesa dhe biznese të vandalizuara. Autoritetet pretendojnë se rreth 30 arrestime janë bërë për vjedhje në qytet.

Më shumë se 2,500 zjarre u raportuan nga Ministria e Brendshme në të gjithë Francën. Gjithashtu u raportua se policia dhe zjarrfikësit janë lënduar, duke përfshirë 79 gjatë natës.

Ndërkohë, funerali i Nahel po zhvillohet pranë Nanterres me Le Monde që raporton se “një numër i madh” miqsh dhe familjarësh janë paraqitur për të bërë nderimet e tyre.