Drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8”, u ndëshkua me 40 000 lekë të rinj gjobë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu zbritën 8 pikë nga patenta, pasi u konstatua me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit. Policia njofton gjithashtu se gjatë 2 javëve të para të muajit korrik u ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë.
“Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8””, njofton Policia. Gjatë 2 javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre: -135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor; -9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit”.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit.
Policia bën të ditur se në fudjavë, në çdo aks ka radarë dhe këshillon drejtuesit që të mso shpejtojnë për të arritur në destinacion duke rrezikuar jetën.
“Udhëto me jetën në mendje! Destinacioni pret. Nëse konsumon pije alkoolike gjatë fundjavës, mos drejto automjetin, por përdor mjetet e transportit publik! Hiq celularin nga dora! Shto vigjilencën! Policia qendron në rrugë për të të këshilluar dhe për të të ndihmuar. Qëllimi i vetëm i Policisë Rrugore, mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të përdoruesve të rrugës”.