Një tjetër media e huaj u ka kushtuar një artikull zonave turistike shqiptare. Kësaj here bëhet fjalë për median amerikane “The Travel of Path”.

Media prestigjioze e cilëson Ksamilin si një ndër zonat që duhet të jetë në listë për t’u vizituar, ndërsa thotë se jugu i Shqipërisë ka fituar titullin “Maldivet e Evropës”.

“Për të përjetuar hijeshinë bregdetare të Shqipërisë, duhet të shkoni në jug”, citon “The Travel of Path”.

Mes sugjerimesh për turizëm, “The Travel of Path” shkruan se Shqipëria është një vend i lirë për të huajt.

“Kjo do të thotë se leku shqiptar i nënçmuar do të mbetet në përdorim edhe për vitet e ardhshme, duke e mbajtur Shqipërinë ‘të lirë’ për të huajt, ndryshe nga Kroacia, e cila hoqi kunën kohët e fundit për t’u bërë një shtet i eurozonës, duke iu afruar gjithnjë e më shumë çmimeve të Evropës Perëndimore”, thuhet në artikull.

Shqipëria turistike vazhdon të bëjë bujë ndërkombëtarisht, dhe këtë bujë nuk denjon ta vërë në pah edhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë shkruan në rrjetin e tij social “Facebook”:

“Këtë herë është media amerikane “The Travel of Path” që i dedikon një artikull bregdetit të bukur, i cili s’është më surprizë të quhet “Maldivet e Europës” në Shqipërinë tonë që po thyen rekorde turistike siç konfirmohet edhe nga Organizata Botërore e Turizmit, dhe që e ka gjithmonë ftesën e hapur për të zbuluar shumëçka duke nisur nga plazhet, fshatrat piktoreskë e plot monumente historike”.