Fatmir Mediu po përpiqet të fitojë kohë dhe të fusë gjykatën në një spirale të re hetimi për Gërdecin, duke u fokusuar tek shkaku i aksidentit që shkaktoi 26 të vdekur dhe jo tek hetimi për korrupsion, për të cilin ai është përgjegjës.

Kërkesa e sotme e Fatmir Mediut për pezullimin e gjykimit të shkurtuar, që nënkupton marrjen përsipër të fajësisë, dhe kalimi në gjykim normal, duke kërkuar të rihetohet shkaku i shpërthimit, është qartazi një kërkesë për të shtrirë gjyqin në vite, për të rifilluar hetimet rreth arsyes së shpërthimit.

Në thelb është një përpjekje për të devijuar akuzat ndaj tij për korrupsion dhe për t’u marrë me problemin e shpërthimit të Gërdecit.

Së pari, duhet të sqarojmë se historia e Gërdecit është një histori korrupsioni dhe kapje shteti, edhe sikur të mos shpërthente dhe të shkaktonte 26 të vdekur. Madje ajo po hetohej nga shtypi ndërkombëtar, bashkë me një histori tjetër, si histori korrupsioni, në qendër të së cilës ishte djali i kryeministrit Sali Berisha, ende pa shpërthyer.

Shpërthimi është pasojë e korrupsionit zyrtar dhe kapjes së shtetit nga biznesmenë të lidhur me djalin e kryeministrit.

Ai eksplozion ndoshta nuk do të ndodhte kurrë sikur kompania që do bënte demontimin të mos ishte e djalit të kryeministrit të mos punësonte aty burrin e tezes, djalin e xhaxhait, shokun, krushkun dhe vëllain e tij, për të qenë të sigurtë si “grup i gatshëm” që t’i shërbenin ideatorit të projektit.

Për këtë arsye Fatmir Mediu si iniciator, si nxitës, si mbështetës dhe si finalizues i këtij projekti për interes të djalit të kryeministrit, duhet të hetohet për korrupsion dhe jo për zjarrin që shpërtheu. Hetimi për zjarrin është pjesë e papërgjegjësisë me të cilën është vepruar në çdo hallkë administrative në atë projekt.

Aty punonin fëmijë nën moshë pune, gra të pasiguruara, kushte të sigurimit teknik skandaloze dhe magazinohej baruti sikur të ishte grumbull me misra dhe jo dinamit.

Këto janë të gjitha pasoja kur në krye të punëve është i biri i kryeministrit dhe gjithë të tjerët, përfshi dhe Fatmir Mediun si ministër, ishin ushtarë të tij.

Së dyti, nëse duan të rihapin procesin dhe hetimet për gjithçka, duhet të fillojnë së pari nga Shkëlzen Berisha. Ai është dëshmitari dhe personi kyç i atij projekti. Gjurmët e tij dhe familjes së tij në atë tragjedi të përgjakur janë në çdo letër, në çdo shkresë, në çdo lobim për kontratën dhe mbi të gjitha, në memorien e shumë prej njerëzve që bashkëpunuan me të.

Nëse gjykata speciale bën një të qindtën e hetimeve voluminoze dhe të detajuara që ka bërë për të hetuar pasuritë e Arben Ahmetaj, jo vetëm që vërteton Shkëlzen Berishën si personin kyç të atij projekti, por ka për t’i ardhur keq në fund për Fatmir Mediun e do ta nxjerrë me gjithë mend të pafajshëm, edhe pse ai do të bjerë dëshmor për familjen Berisha.

A ka fakt më të rëndë se sa ministri i Drejtësisë para se të formulojë një shkresë, e bën gati projektin e saj, ja çon me faks Shkëlzen Berishës, pret miratimin e tij dhe pastaj e dërgon me vulë në Kryeministri, tek babai i tij?

A ka fakt më të rëndë se sa shoku i ngushtë i Shkëlzenit, është zyrtarisht i emëruar me shkresa që i ka prokuroria, si përfaqësues i kompanisë amerikane që merrej me demontimin dhe ai thotë para prokurorëve se nuk kam dëgjuar kurrë për Gërdecin?

A ka fakt më të rëndë se sa vet tabulatet e Shkëlzen Berishës me Delijorgjin dhe Mediun, para dhe pas shpërthimit?

Shikoni sa herë kanë folur dhe kur kanë folur dhe keni për të kuptuar që Delijorgji i ka telefonuar atij për çdo hall të projektit, siç është normale t’i telefonohet pronarit të një projekti.

A ka fakt më të rëndë se mënyra se si familja e tij fshehu vdekjen e baxhanakut të kryeministrit, për të shmangur vëmendjen nga përfshirja në atë skandal?

Mbi të gjitha a ka fakt më të rëndë se si politika e PD ndryshoi tërësisht pas asaj tragjedie, duke u bërë kauzë themelore mbrojtja e krimit në Gërdec? Ata që nuk mbronin djalin e kryeministrit u zbuan nga PD dhe çdo idiot që i doli zot u rikthye ministër.

E pra hetimi i ri duhet të nisë me Shkëlzen Berishën dhe nëse Mediu e ka seriozisht, ai duhet të rrëfehet për atë.

Së fundmi, është fyese për viktimat e asaj tragjedie, dhe mbi të gjitha për drejtësinë shqiptare, që një ministër fajtor, shpik dhe pista konspirative për shpërthimin, që të duket si viktimë e një komploti të huaj ndaj tij.

Në fakt ai është viktimë e pushtetit të familjes Berisha, është ushtar i bindur i tyre dhe mbi të gjitha, është një politikan me profil mafioz, që është betuar të mos flasë për atë krim, për të shpëtuar familjen më të inkriminuar të historisë së Shqipërisë. Dhe ky realitet duhet të udhëheqë atë hetim dhe gjykim. S’ka nevojë të jetë i shkurtuar. Rëndësi ka të mos i bien aq shkurt sa të duket fajtor vetëm Mediu.