NJOFTIM PËR MEDIA

Maturantët e gjimnazeve të Elbasanit janë mbledhur në një ceremoni diplomimi që organizohet për herë të parë në këtë qytet. Në ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja dhe drejtuesi Politik i Partisë Socialiste të Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri.

Në fjalën e saj përshëndetëse znj. Kushi tha se të sapo diplomuarit janë pasuria më e çmuar e qytetit, dhe që në të ardhmen kam besim që do të japin kontribut me vlerë për zhvillimin e tij.
“Disa prej jush do të studiojnë këtu në Elbasan, disa në Tiranë, disa mund të shkojnë edhe jashtë vendit. Por mos e harroni asnjëherë Elbasanin. Mos i harroni asnjëherë këto mure. Gjithmonë ka një moment kur mund të ktheheni që të jepni kontribut për këtë qytet. Dhe kontribut mund të jepni edhe si mjek, edhe si politikanë, por jo duke qenë kryetar bashkie apo njerëz të suksesshëm. Kontribut për qytetin mund të jepni edhe duke qenë qytetarë të mirë, edhe familjarë të mirë, duke rritur fëmijën tuaj këtu. Ky është kontributi më i mirë që mund të jepni për qytetin. Ky është mesazhi i parë që kam për ju, por veçanërisht edhe për ata që do ta vazhdojnë studimet e larta.”

Teksa i ftoi maturantët të vlerësojnë nismat e qeverisë siç janë ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe degët prioritare, Ministrja Kushi u kërkoi që të mos dorëzohen dhe gjithmonë të ndjekin modelin e duhur në jetë, të cilin nuk kanë përse ta kërkojnë në rrjetet sociale.
“Të dashur maturantë, të dashur të diplomuar, ju që do të vazhdoni studimet e larta, ju që do të hyni direkt në tregun e punës, do të keni shumë vështirësi, do të keni edhe pengesa, por asnjëherë mos u dorëzoni, edhe nëse rrëzoheni, ngrihuni përsëri. Sa më shumë të rrëzoheni, aq më të fortë, bëheni kur ringriheni, zgjidhni modelet e duhura në jetë. Sepse jetojmë në botën e instagramit dhe Tik-Tok-ut dhe ndonjëherë modele bëhen ata që kanë më shumë ndjekës në Instagram. Por jo gjithmonë ato janë modelet e duhura që duhet të ndiqni. Ndonjëherë modeli i duhur për t’u ndjekur është shoku apo shoqja që keni në krah. Mund të jetë prindi që keni në shtëpi, mund të jetë motra, vëllai. Shumë herë mund të jeni ju, modeli për të frymëzuar shokët tuaj apo vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Kështu që zgjidhni gjithmonë modelet më të mira.”

Në fund të fjalës së saj ministrja falënderoi mësuesit dhe prindërit për përkushtimin dhe kontributin që kanë dhënë për edukimin e të rinjve.