Është ndërprerë mbrëmë koncerti i Mozzik dhe Getinjos në Gjilan, pasi dikush dyshohet se ka hedhur granatë dore para lokalit.
Kjo është konfirmuar dhe nga Getinjo.
“Përshëndetje Gilan i dashur. Sonte patum me këndu, ke tu pëlcit full full. Na falni krejtve që nuk mujtum me e vazhdu programin, se dikush e ka gjujt një granatë dore para lokalit, po shyqyr Zotit nuk ka shpërthye granata, por policia e ka pas të obligueshme me blloku krejt vendin dhe me i qit krejt njerëzit jashtë”, tha ai në një video të publikuar në Instagram. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashni ka thënë për Express se në oborrin e diskotekës është gjetur një mjet i pashpërthyer dhe një gëzhojë e armës.
“Stacioni policor Gjilan me datën 28.07.2023, rreth orës 01:50 ka pranuar informacion se në oborrin e një diskoteke në Gjilan ka të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore i janë përgjigjur rastit. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore, e cila ishte e pashpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje, Policia ka thënë se të gjithë personat që ishin brenda diskotekës janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
“Të gjithë personat që kanë qenë brenda kësaj diskoteke në mënyrë të sigurtë janë evakuuar. Nga ana e zyrtarëve policorë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, ndërsa mjeti i pashpërthyer është menaxhuar dhe asgjësuar pa asnjë pasojë nga njësiti për deminim”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.