Mungesa e punëtorëve në Itali ka detyruar qeverinë italiane të aprovojë draftin i cili parashikon që në tre vitet e ardhshme të punësoj 452 mijë punëtorë të huaj.
Qeveria Meloni ka aprovuar drafti i cili titullohet “Programimi i fluksit të hyrjes së ligjshme në Itali të punëtorëve të huaj”, parashikon punësimin e 136 mijë të huajve përgjatë vitit 2023, 151 mijë më vitin 2024 e 165 mijë më 2025.
Mediat vendase raportojnë se vendimi është marrë për shkak të vështirësive që vendi po ndeshet së fundmi në lidhje me mungesën e krahut të punës në sektorin e bujqësisë dhe të turizmit.
Ekspertët italiane shprehen se vendi ka nevojë për mbi 830 mijë punëtorë e ky draft i hartuar nga qeveria Meloni, përpiqet të jetë një ndihmë për sipërmarrësit e për ekonominë italiane.
Sa i përket aplikimeve për punësim në Itali, organizatat e punës më përfaqësuese në nivel kombëtar do të bëjnë shpalljet dhe do të merren me mbikëqyrjen dhe rekrutimin e punëtorëve deri në nënshkrimin e kontratave të punësimit me ta.
Dy sektorët më alarmues për mungesë fuqie punëtorë janë turizmi e bujqësia, por vendimi i qeverisë italiane parashikon punësime dhe në fushën e asistencës familjare, social-shëndetësore, autotransport mallrash, ndërtim, për figura profesionale si elektricistë e hidraulikë si dhe në kantiere detare.