Shqipëria po njeh fluks të lartë turistësh këtë sezon veror, ndërsa autoritetet në vend kanë deklaruar se vetëm përmes portës së Rinasit në vend pritet të hyjnë mbi 8 milionë të huaj, me qëllim turizmin.
President i ATHS-së Besnik Vathi, në një intervistë për ATSH-në flet për një sezon të mbarë, madje ai shton se fluksi i lartë i turistëve i ka gjetur të papërgatitur.
“Askush, as me operatorët turistik, as qeveria nuk ishim të përgatitur për një fluks kaq të lartë turistësh”, thotë ai.
Vathi, rendit disa nga arsyet se pse Shqipëria është sot një destinacion mjaft i kërkuar.
Sipas tij, infrastruktura aeroportuale dhe shtimi i operimit të linjave të fluturimet “low cost” kanë luajtur rol parësor, ndërsa promovimi perms medies sociale është një tjetër faktor. Madje këto dy faktorë, Vathi i konsideron si revolucione.
“Situata në vitin 2023 parashikohet të jetë më e mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Arsyet të cilat na kanë sjellë në këtë situate janë kryesisht hapja e madhe e aeroportit të Tiranës, fillimi i fluturimeve “low cost” dhe rritja me 2 deri në 3 herë e qyteteve me të cilat ka fluturime direkte nga Tirana, në raport me vitin para pandemisë. Ndërkohë gjatë pandemisë filluan fluturimet direkte nga Lindja e Mesme” , u shpreh kreu i ATHS-së për ATSH.
Kjo, sipas tij, ka bërë që Shqipëria të përfitojë një numër në rritje të turistëve.
Vathi shprehet optimist se Shqipëria do të vijojë të ketë sezone turistike verore të suksesshme si për sa i përket shifrave edhe të ardhurave.
“Kjo situatë do të vijojë edhe në vitet e ardhshme dhe numrat jo vetëm që do të mbeten këto që janë, por do të ketë një rritje progressive nga viti në vit”, thekson ai.
Kreu i ATHS-së, tregon dhe për rolin që kanë luajtur mediet sociale.
“Kësaj situate duhet t’i shtohet edhe revolucioni tjetër që kanë sjellë mediet online, që pa e pasur të nevojshme të paguash, shpërndajnë informacion për situatën, bukuritë, kushtet, bëjnë krahasime të çmimeve në destinancione të ndryshme, dhe shpërndajnë informacion. Në rrjetet sociale nuk konkurrojmë se kush paguan më shumë, se sa me cilësitë që ka një destinacion. Për shembull: nëse ti publikon një foto nga Ksamili, Valbona, Thethi a Tirana, të huaj të shumtë do të ndikohen në vendimin e tyre për ta vizituar. Disa të tjerë do të shkruajnë dhe japin informacion. Kjo është në fakt një reklamë që shumëfishon në mënyrë të natyrshme ato avantazhe cilësore në raport me vendet e tjera”, thotë Vathi.
Ai u ndal dhe në disa nga problematikat me të cilat përballet ky sektor.
“Bizneset, qeveria, vendi, askush nuk ishte i përgatitur për këtë fluks kaq të lartë. Duhet të kesh punonjës dhe ti kesh të trajnuar. Duhet të kesh kapacitetet për t’I transportuar, sepse nuk bëhet fjalë për tu përgatitur sot për nesër. Njëkohësisht duhet përmirësuar transporti, qytetas dhe ai ndërqytetas. Trafiku është një tjetër element që duhet përmirësuar”, shprehet Vathi për ATSH.
Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti arriti 3.396.932.
Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ky numër është rritur me 33 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Vetëm gjatë muajit qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.007.033. Ky numër është rritur me 15 %, krahasuar me qershor 2022.
Ndërkohë, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, është 3.024.102, duke u rritur me 20 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në qershor 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 954.389 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 30.082 dhe 8.971 shtetas.