Pas publikimit në media të pamjeve ku tregohet dhuna e ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja në Fushë – Krujë, nga anëtarët e fisit Rraja ka ardhur reagimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Përmes një njoftimi për median AMA bën me dije se nisur nga qarkullimi në publik i pamjeve filmike të ushtrimit të dhunës ekstreme në grup përmes pasqyrimit në median online apo nga komunikimi në rrjetet sociale tërheq vëmendjen e OSHMA-ve, për respektimin e kërkesave ligjore dhe etike në raste të tilla.

Në bazë të ligjit AMA kërkon që për transmetimin e këtij lajmi duhet të përdoren teknikat e mbulimit të skenave të dhunimit ekstrem, ose i pasojave tek viktimat evitojnë efektin që përmbajtjet e papërshtatshme kanë te shikuesit, sidomos tek të miturit.

Më tej Autoriteti i Mediave Audiovizive shton se: Në mënyrë profesionale redaksitë audiovizive duhet të mbajnë parasysh dhe orarin e tranmetimit të skenave ekstremisht të rënda, si dhe të aplikojnë mesazhe paralajmëruese për largimin e të miturve.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, nisur nga qarkullimi në publik i pamjeve filmike të ushtrimit të dhunës ekstreme në grup, në një zonë afër Fushë- Krujës, përmes pasqyrimit në median online apo nga komunikimi në rrjetet sociale, tërheq vëmendjen e OSHMA-ve, për respektimin e kërkesave ligjore dhe etike në raste të tilla. Përdorimi i teknikave të mbulimit të skenave të dhunimit ekstrem, ose i pasojave tek viktimat evitojnë efektin që përmbajtjet e papërshtatshme kanë te shikuesit, sidomos tek të miturit.

Në mënyrë profesionale redaksitë audiovizive duhet të mbajnë parasysh dhe orarin e tranmetimit të skenave ekstremisht të rënda, si dhe të aplikojnë mesazhe paralajmëruese për largimin e të miturve.

Referencat në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, OSHMA-të do të duhet të zbatojnë specifikisht kërkesat e nenit 4 të këtij ligji, për “moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, (pika 2/d), si dhe “moslejimin e transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën”, (pka 2/dh). Po ashtu në nenin 32, pika 4, saktësohet se “OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen …. dhe çdo formë tjetër diskriminimi”. Në nenin 33, thuhet mes të tjerave që, “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, (pika 1/ç); apo “të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale“ (pika 1/d).

AMA vijon me monitorimin e të gjithë mbulimit mediatik të këtij rasti dhe do të marrë masat e nevojshme nëse konstatohet shkelja e kërkesave ligjore.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE.