19 Korrik, Shkodër- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar punimet për rehabilitimin e Poliklinikës së Specialiteteve në Spitalin Rajonal Shkodër, e cila do të përfundojë brenda këtij viti, për të ofruar me standarde bashkëkohore dhe më shumë shërbime ambulatore për qytetarët.
“Në Shkodër sapo kemi nisur një investim të ri, rehabilitimin e poliklinikës së spitalit, e cila ofron shërbime për rreth 50 mijë qytetarë në vit dhe gjithashtu kryhen një seri ekzaminimesh laboratorike dhe imazherike, për të gjithë sistemin ambulator. Përpos Poliklinikës së Shkodrës kemi filluar investimin në poliklinikën e Elbasanit, e brenda këtij viti fillojmë edhe investimin për poliklinikën e Durrësit, për të përfunduar kështu një cikël të investimeve në strukturat e poliklinikave dhe spitaleve më të mëdha në vend”,-tha Ministrja Manastirliu.
Teksa ka vlerësuar ekipet mjekësore të Spitalit Rajonal Shkodër, Manastirliu tha se ky spital do të pajiset pas përfundimit të procedurave, me kartën e autonomisë menaxheriale, duke i hapur kështu rrugë praktikave dyfishe për mjekët.
“Hapi tjetër që është hyrja drejt autonomisë menaxheriale dhe gjithë parapërgatitja që ju keni bërë dhe me ndihmën e menaxherëve të ardhur nga Turqia, për të siguruar që strategjia e menaxhimit të spitalit mbi bazën tre vjeçare edhe protokollet e menaxhimit spitalor dhe të gjithë administrimit që keni brenda spitalit me stafet tuaja të kualifikuara, të krijojnë mundësinë që ne ta hedhim këtë hap të sigurt drejt asaj që ne duam. Ndaj jam e bindur që Shkodra do të jetë një nga spitalet që do ta përmbyllë fazën e parë të aplikimit dhe drejt autonomisë menaxheriale në një kohë shumë të shpejtë, që më pas t’i hapim rrugë edhe një tjetër mekanizmi, që është mekanizmi i praktikës dyfishe, për të garantuar një mbështetje të madhe për mjekët, por gjithashtu dhe për t’i dhënë mundësinë qytetarëve që të marrin shërbime me mjekë të caktuar, sipas dëshirës së tyre.”- tha Ministrja Manastirliu.
Rikonstruksioni i Poliklinikës së Specialiteteve të Spitalit Rajonal Shkodër është një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, që do të mundësojë edhe një organizim të ri me 13 kabinete mjekësore, me 13 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe shërbimet ndihmëse, të cilat do t’ju shërbejnë rreth 50 mijë qytetarëve. Gjithashtu programi i rehabilitimit të strukturave të kujdesit shëndetësor përfshin edhe modernizimin e Poliklinikës së Elbasanit, Durrësit dhe Dibrës.
Home Lajme Aktualitet Nis investimi në Poliklinikën e Shkodrës, Manastirliu: Spitali gati për autonominë menaxheriale,...