Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, ka publikuar historinë e bletarit nga Elbasani, Rifan Basha. Bletari nisi aktivitetin e tij me 10 familje bletësh, ndërsa sot numëron mbi 700 koshere të shpërndara në të gjithë vendin.
Ministrja Krifca, bënë të ditur përmes rrjeteve sociale, se bletari Basha, përfitues nga skema kombëtare e subvencioneve, i’a ka transmetuar pasionin për bletët edhe fëmijëve të tij.
“Prej 50 vitesh, Rifan Basha, bletari nga Elbasani vazhdon të punojë me të njëjtin pasion. Rrugëtimi i tij si bletar nisi me 10 familje bletësh, ndërsa sot numëron mbi 700 koshere të shpërndara në vende të ndryshme për të sjellë tek konsumatori shqiptar shumëllojshmëri mjalti (mjaltë shumëlulesh, mjaltë gështenje, mjaltë mareje, qumësht blete, propolis) prodhime që garantohen nga kullotat e pasura të vendit tone”, shkruan Krifca.
“Dashurinë për bletën Rifani arriti tja përçojë edhe dy djemve të tij, Evisit dhe Danjelit, ku sot të tre sëbashku pas një viti pune dhe përkushtimi po vjelin mjaltin e shumëkërkuar të gështenjës nga zona e Gurakuqit të Librazhdit. Rifani gjithashtu është dhe përfitues i subvencionit nga Skema Kombëtare e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, përfundon Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca.