Nga Ylli Pata
Përpos “epopesë së karkalecave” që po kërcejnë në katet e sipërme të Tiranës, mania më e re është falli e basti publik në lidhje me fatin e të arratisurit nga drejtësia, Arben Ahmetaj.
Edhe pse ka qenë rasti për të diskutuar realisht për çështjen “Ahmetaj”, akuzën ndaj një zyrtari të lartë nga institucioni që tashmë po kthehet në një mankth për të fuqishmit, asnjë gjë për këtë nuk është diskutuar fare.
Është krejt e natyrshme se palët, pra i akuzuari me ekipin e mbrojtjes apo edhe politika, do të kërcejnë në mënyrë pindarike për të gjetur argumente që i vijnë në favor të tyre. Por publiku kërkon të dijë, sepse nuk është aspak gjë e vogël. Mirëpo jo, për mbi një javë jemi kthyer në një Big Brother të madh, ku gjithçka po trajtohet si telenovelë, qoftë me destinacionin e Ahmetajt, apo pjesë të dosjes që e kanë bërë fërtele për gjithçka, por jo për të akuzuarin VIP.
Ndërkaq, tani ka nisur një frenezi në çdo panel, ku secili po parashikon se kur ish-zv-kryeministri do të kthehet në një Tomaso Buschetta, pra në një të penduar e nga i akuzuar do të kthehet në akuzues.
Por Arben Ahmetaj nuk pranoi të jetë një Pavel Vllasov i Maksim Gorkit, por një “shqiptar i mesëm” që për parim nuk ka aksiomën “burgu për burrat është”, po të famshmen thënie: “këmba e lehtë e faqja e bardhë”.
E ky është lajmi thelbësor në këtë ngjarje të madhe, e cila natyrisht pati e do të ketë edhe zhvillime të rëndësishme tip efekt domino. Por për këtë, nuk mund të hidhet fall, edhe pse kushdo mund ta bëjë, duhet pritur zhvillimet që të komentohet. Ama ka një aspekt këtu që bën mu, e që e bëjnë panelet.
Logjika konsiston në atë që “bëri mirë Ben se në burg je i shkatërruar”. Natyrisht është i lirë gjithkush ta komentojë në këtë mënyrë, por thelbi i asaj që publiku kërkon është se çdo zyrtar i akuzuar, duhet të përballojë procesin. Pasi nuk ka rrugë tjetër. Mund ta kërcënojnë, ta shantazhojnë, ta ç’gradojnë e ta telendisin, por në fund, heroi nuk është ai që ikën, por Edmond Dantesi i Alexander Dumas.
I cili pasi ja nxinë jetën katër vetë, ja del të mbijetojë e arratiset nga burgu, noton e noton derisa shkon në shpellat e thella ku kishte fshehur paratë e inceneratorëve, dhe me ato pare përgatit hakmarrjen ndaj armiqve të tij.
Por siç e tha dora vetë Ben Ahmetaj, ambicja e tij është më e madhe, pasi më shumë se një Dantes, po i pëlqente një Danton që do të prejë kokën e Mbretit, pasi sipas tij ndryshe ka dështuar revolucioni.
Një revolucion që sipas ithtarëve të rinj të “Dantonit” të momentit do të vijë me shkresa bombë. “Do të shikojmë sesi do të sillen nga jashtë letrat e Arben Ahmetajt që do të hedhin në erë Edi Ramën”, thonë të përhershmit që kanë mbajtur gjallë teorinë e revolucionit të paneleve në Tiranë, që në kohën Para Epokës Non Grata.
Përveç gallatës që sjell kjo parodi frenetike për të gjetur Buschetta-n tek Ben Ahmetaj, pyetja që lind spontane është: Ja edhe erdhën shkresat, a ndryshojnë gjë në thelbin e akuzës që SPAK ka ngritur ndaj zv.kryeministrit. Pasi shkresat që do sjellë “Dantoni” ende s’i kemi. Let’s talk about SPAK-s papers.
Jo, vetëm për ato nuk flitet, për gjithçka tjetër, madje edhe për Nasufin e Baftjarin që emri u përmendet aty në ndonjë vend, e jo për njeriun që fluturoi ashtu me pantallona të shkurtëra në një vend ku thuhet se ka një mbret. Por që emrin nuk e ka Luigj po Hasan…