Valentino Murataj mund të jetë shitja e radhës për Partizanin. Kapiteni i të kuqve ka oferta konkrete nga Europa, ndërsa Thun në Zvicër prej javësh ka shfaqur interes për mesfushorin. Pas largimit të Bruno Telushit dhe konfliktiti me trajnerin Zekic, duket se Partizani është gati të “mbushë arkat” me një tjetër shitje.
Veç Thun, edhe klubet turke kanë shfaqur interes për 26-vjeçarin e Partizanit. Prej janarit të 2021, Murataj është “mushkëria” e të kuqve, teksa nuk ndalet në kilometrat e zhvilluara në fushë. Edhe në ndeshjet evropiane kundër BATE Borisov, Murataj ishte ndër më të mirët në fushë, teksa në një rast u ndal nga shtylla.
300 mijë euro është vlera e tij në treg, duke qenë ndër lojtarët më të vlefshëm te Partizani. Fieraku ka dalë nga moshat e Bylis, teksa spikati te Dinamo dhe më pas ekipi i parë i mallakastriotëve, për t’u bashkuar me “Demat e Kuq”.