Nga Jakin Marena
Zgjedhjet e përsëritura për bashkinë e Rrogozhinës këtë të dielë dhanë një rezultat shumë të thellë humbës të koalicionit “Bashkimi për Fitore”, përballë kandidatit të mazhorancës socialiste.
Nëse në zgjedhjet e 14 majit rezultati ishte i ngushtë me një diferencë prej 21 votash në favor të përfaqësuesit socialist, këtë të dielë diferenca u thellua në mënyrë ‘tragjike’ në dëm të opozitës, duke dhënë një rezultat me mbi 1500 vota më shumë për Memollën e PS.
Ndonëse opozita është mësuar tashmë me rezultatet negative për 10 vite me radhë, duke humbur në masën 100 përqind të gjitha garat elektorale përballë socialistëve, edhe atëherë kur kanë qënë të bashkuar duhet të nënvizojmë, tashmë që PD pritet të ndahet sërish në pjesë të tjera, fitorja e opozitës në një garë elektorale është jo shumë larg, por e pamundur ndoshta dhe për një dekadë tjetër. Zgjedhjet e vitit 2025 janë në prag.
Dhe si gjithnjë do të dëgjojmë ankesa nga ana e lidershipit opozitar për “vjedhjen e zgjedhjeve nga Rama”, pamundësinë për të fituar me këtë qeveri dhe në fund të herës, është bërë ‘postulat’ tashmë, paralajmërimi për revolucionin e madh të vjeshtës nga Berisha dhe ortakët e tij, “si e vetmja mundësi për të rrëzuar kryeministrin e korruptuar socialist nga pushteti”.
Eshtë një ‘melodi’ që dëgjohet çdo behar, ku paralajmërohet se me ‘rënien e gjethit të fundit, do të bjerë dhe qeveria e korruptuar e Edi Ramës”. Eshtë dhe një ‘molodi’ që kërkohet të zgjatet sa më shumë sidomos nga ana e Berishës, i cili më shumë se i interesuar për të fituar zgjedhjet e radhës, është i shqetësuar për hallin e tij personal përballë izolimit ndërkombëtar ku ka hyrë pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania dhe dosjet e shumta të zullumeve që ka për hetim në SPAK. Dosje të cilat një ditë, në një formë apo tjetër do të hapen dhe atëherë do të dëgjojmë ‘thagma’, të cilat shqiptarët jo vetëm që nuk i dinë, por as i kanë imagjinuar. Pasi deri më tani vetëm ‘maja e ajzbergut’ duket.
Ndaj Berisha është i interesuar të ketë sa më shumë zhurmë për zgjedhjet e 14 majit apo këto të ditës së dielë të përsëritura në Rrogozhinë, apo për betejën e dytë të vulës në PD zyrtare, teksa ka karikuar Gazmend Bardhin duke e bindur se ai është i vetmi Sekretar i Përgjithshëm mbi tokë për PD zyrtare apo dhe për tërë demokratët. E shprehur kjo dhe me marrjen e vulës në xhep nga Bardhi, në vend që të jetë në zyrën e protokollit si kudo në botë, dhe këmbënguljen për të mbledhur Këshillin Kombëtar, dy ditë para zgjedhjes së Bashës kryetar, anipse kryesia ia ka hequr vulën sekretarit të Përgjithshëm të PD. Por ka karikimin e Berishës që e motivon.
Por gjithë këtë ‘sagë’ debatesh nga të gjitha drejtimet, Berisha e ka ngritur thjeshtë dhe vetëm për të bërë zhurmuesin dhe shkëputur sadopak vëmendjen nga ajo çka me sa duket po përgatitet, dhe me këmbënguljen e ndërkombëtarëve që kanë ngritur dhe po financojnë rëndë drejtësinë e re, në lidhje me vetë Berishën dhe familjarët e tij.
Diçka ka dëgjuar Berisha që ka bërë ‘haram’ pushimet, dhe lëviz çdo ditë nga vila në Gjirin e Lalzit në zyrën që mban ‘kontrabandë’ buzë Lanës. Ndërkohë që janë ‘zgjuar’ dhe ortakët e tij, të cilët po lëvizin, për të bashkuar forcat dhe për t’u mbrojtur përballë drejtësisë. Nën ‘okelion’ e kundërshtimit të ‘qeverisjes kriminale të Ramës’. Kanë dëgjuar se do ketë ndonjë lëvizje nga SPAK këtë vjeshtë, për ndonjë goditje ‘djathtas’, përderisa majtas deri më tani nuk ka lënë kusur.
Dhe mirë ka bërë SPAK. Të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish ministrave e ish zyrtarëve socialistë, deri tek ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, duhet të gjykohen deri më një dhe nëse ka pasur abuzime dhe shkelje të ligjit, të paguajnë me dënimet më të rënda që parashikon ligji.
Madje dhe emrat që dalin në dosjen e hetimit për ish ministrin Lefter Koka që është në burg bashkë me ish deputetin Alqi Bllako, apo për Arben Ahmetajn që është në arrati, të hetohen, analizohen dhe secilit hakun. Dosja të merret si e tërë dhe kemi besim për këtë. Të marrin pafajësinë zyrtarisht sëpaku dhe të mos jenë ‘ushqim’ për politikën dhe mediat padrejtësisht.
Në fund të herës, të gjithë ata zyrtarë që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve duhet të përgjigjen përballë drejtësisë, dhe për më tepër duhet të kthejnë lekët në arkën e shtetit. Ato që kanë mbetur mund të themi, pasi janë hedhur shumë nga palët në goditjen ndaj njëri tjetrit, për të zhytur sa më shumë mikun e bërë armik, për të hequr akuzat ndaj vetes dhe për më tepër për të bërë shantazh. Kanë paguar rëndë të dyja palët dhe kjo duket me sy të lirë teksa sheh debatet televizive dhe barrikadat e ngritur me mbështetësit e tyre.
Nëse pyet dhe një shqiptar sado të thjeshtë ta thotë me përpikmëri se interesat e cilit zyrtar dhe cilën çështje mbron secila palë në panele. Eshtë hedhur lek i madh, kuptohet nga paratë tona, për të krijuar këtë mjegullnajë të fortë përmes debateve dhe ‘inkursioneve’ mediatike. Eshtë përfituar shumë, por drejtësia për hir të së vërtetës po bën punën e saj, SPAK po heton pa u shqetësuar dhe kjo na mbush me shpresë se në këtë vend një ditë do të bëhet drejtësi, dhe ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit në Shqipëri do të shohin derën e burgut. Pra do të marrë fund pandëshkueshmëria në këtë vend, kuptohet, me ndihmën e fortë të partnerëve tanë të mëdhenj, SHBA, Britania dhe BE. Kemi qënë me fat në këtë pikë.
Por nëse ka diçka që shqiptarët i bën skeptikë është fakti se prokurorët e posaçëm ende sot e kësaj ditë s’guxojnë të marrin nën hetim Berishën dhe familjarët e tij. Madje as nuk u përmendin emrin, ndonëse dosjet në ngarkim të tyre jo vetëm që kanë miliona euro apo dollarë abuzime, por janë të spërkatura dhe me gjak.
Ka qënë një korrupsion i përgjakshëm ai i Berishës, duke filluar që nga shpërthimi i punishtes së municioneve në Gërdec, akuza është se pronar i kësaj punishteje ‘vdekjeje’ ka qënë djali i tij Shkelzen Berisha me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, plagosjen e mbi 300 të tjerëve dhe shkatërrimin nga themelet të bizneseve rrotull këtij fshati. Të cilin Berisha nuk dinte se ‘nga binte’. Megjithëse s’dinte as emrin e baxhanakut të vet Berisha, të cilin e ‘ngatërroi”. S’ka ‘faj’.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe vrasjen e katër demonstruesve të pafajshëm të opozitës nga Garda e Republikës, në mes të bulevardit, përballë kryeministrisë , më 21 janar 2011 dhe mbi të gjitha bllokimin e prokurorisë për të mbledhur prova dhe pyetur policinë dhe gardistët në lidhje me këtë masakër. Eshtë bërë ‘hit’ tashmë dhe në rrjetet sociale fjalori prej njeriu rruge i përdorur nga Berisha ndaj Presidentit të asaj kohe Bamir Topi apo Prokurores së Përgjithshme po të asaj kohe Ina Rama.
Por Berisha e ka marrë vetë përsipër vrasjen, pra urdhërin e dhënë ndaj Gardës për të qëlluar në ‘mish’. Nëse ka dikush dyshime, drejtësia e re nuk duhet të ketë jo dhe jo, të futet në motorin e kërkimit “google’ dhe do të dëgjojë live kërcënimet e Berishës sipas të cilave nëse ndonjëri nga protestuesit do kalonte gardhin e kryeministrisë, për dijeni sot nuk ekziston më, do të vriteshin jo tre por dhe 300 protestues.
Madje kërcënoi hapur dhe kryeministrin Edi Rama, më 2011 ishte kreu i opozitës, teksa Berisha ka deklaruar publikisht se më 21 janar kishte vënë 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë dhe një hap para të bënte kishte urdhëruar ta vrisnin në vend. S’janë as deklarata fushate këto të bëra nga Berisha, as të thëna në momentin e ndodhjes së masakrës së 21 janarit 2011, por janë deklaruar në media, të regjistruara, disa vite më vonë. Kur Berisha ka qënë thjeshtë një deputet, as kryeministër dhe as kryetar partie. Për këtë të fundit jozyrtarisht. Pra deklarata të bëra jo në kushtet e presionit. Gjenden lehtë, janë me vidio dhe të pafshira. I gjen dhe SPAK po të dojë.
Për të kaluar tek dosja e rëndë e aferës CEZ-DIA ku nga arka e shtetit kanë dalë dhe zhdukur pa nam e nishan afër 500 milionë euro. Vetëm sekseri i familjes Berisha, Nuel Kalaj mori me një ‘dorë’ në një bankë të nivelit të dytë 7 milionë euro, përfitim neto nga afera e CEZ. Ndërsa i dënuari në këtë aferë Kastriot Ismailaj, ish drejtuesi i kompanisë së mbledhjes së borxheve të këqia të CEZ, është në burg. Gati që të flasë ndoshta dhe si i penduar i drejtësisë, po t’ia afrojë vetë drejtësia këtë status.
Familja Berisha ka dhe dosjen e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, ku nën akuzë është dhëndërri Jamarbër Malltezi, që me 30 metra katrorë pronë, arriti që të bënte një pasuri që vlerësohet në limitet e 21 milionë eurove, ku është ndërtuar një kompleks i madh pallatesh, me plot 17 kulla. Vetëm prona e dhëndërrit mund të ‘pjellë’ kaq shumë para, me një ‘bythe vend’ në Shqipëri. Kuptohet me ndihmën e vjehrrit kryeministër sipas akuzave. Por drejtësia duhet ta vendosë.
Ka dhe dosje të tjera, ku nëse do të kishte një drejtësi skrupuloze dhe me vullnet, të paktën Berisha dhe familjarët e tij, por dhe ortakët e tij në këtë ‘biznes’ politik ku janë zhdukur miliona euro e janë vrarë dhjetra njerëz, do të ishin pyetur me kohë dhe me vakt. Ose do të kishin marrë pafajësinë dhe do vijonin jetën e tyre normale, në politikë ose jo, ose do të kishin marrë dënimin që u takon dhe do kthenin në arkën e shtetit paratë e vjedhura.
Dosjet janë thuajse të gatshme, por nuk e dimë ende sa të gatshëm janë prokurorët e SPAK për t’i hetuar dhe dërguar në Gjykatën e Posaçme për gjykim. Koha nuk u ka kaluar këtyre dosjeve, pasi për arrestimin e ish kryebashkiakut socialist Vangjush Dako për një ndërtim pa leje të vitit 2010, nuk u llogarit kjo kohë. Disa nga “veprat” e mëdha të Berishës mbajnë datat e pas vitit 2010, ndaj nëse nxirret ky argument, është tërësisht i pajustifikueshëm.
Fundja drejtësia e re ka në krah dhe mbështetjen direkte të aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA dhe Britanisë, të cilët e kanë shpallur Berishën ‘non grata’ për korrupsion të nivelit madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Pikërisht për ato dosje që janë sot nën hetim, por që kanë zënë pluhur në fakt pa thirrur Berishën as për ta pyetur, dhe që janë thuajse të gatshme. Shtuar këtu lobimin me para ruse prej gjysmë milionë dollarë për të rrëzuar qeverinë legjitime shqiptare për interes të shtrirjes së ndikimit rus në rajon dhe Shqipëri.
Duhet thjeshtë vullnet nga ana e SPAK dhe drejtësisë së re për t’i marrë në dorë dosjet e rënda të Berishës, familjarëve e ortakëve të tij, për t’i hetuar dhe dhënë drejtim këtyre dosjeve. Për një gjë duhet të gjithë të jenë të bindur: Shqiptarët e besojnë totalisht drejtësinë e re dhe misionin e saj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend, vetëm nëse shohin në ‘kafaz’ Berishët e ortakët e tyre. Pra para drejtësisë së re si të pandehur.
Fut sa të duash ministra e ish ministra nga e majta në burg, shqiptarët progresin e besueshmërinë tek drejtësia e re e masin vetëm me faktin nëse Berisha dhe ortakët e tij do të jenë përballë ‘togave të zeza’ për të gjitha zullumet që ka kryer. Dhe nuk janë pak. Atëherë do të besojnë se drejtësia në këtë vend po bëhet. Atëherë do të jenë të përmbushur që mbështetja e vazhdueshme për drejtësinë e re nuk ka shkuar dëm. Do të çlironte dhe demokratët nga pengmarrja që Berisha ka bërë. Nëse organizon një sondazh, mbi 90 përqind e shqiptarëve do të shprehen se pa Berishët dhe ortakët e tyre në bankën e të akuzuarve, nuk ka drejtësi. Nuk quhet me një fjalë asgjë e bërë deri më tani.
Por duket se Berisha ka marrë ndonjë sinjal se vjeshta do jetë e hidhur për të, duke filluar me ndonjë familjar të tij. Pasi siç thuhet rëndom nëpër tavolina, ‘duket se ka ardhur radha që SPAK të godasë djathtas”. Dhe Berishët e ortakët e tij janë ‘mënyja’ më e gatshme për drejtësinë. Të shpresojmë se ‘steka’ do të ngrihet në vjeshtë. Ngritja e toneve nga Berisha dhe ortakët e tij në pikë të vapës së korrikut me sa duket e paralajmëron këtë. Të shohim. Të shpresojmë se ka marrë fund ‘epoka’ e marrjes së firmës për të filluar hetimet nga Gjiri i Lalzit.