Nga Klevis Bakillari
Ç’është e vërteta, ka një raport të pjekur ndër vite midis politikës dhe krimit në Shqipëri. Politika ka qënë e mbetet një parajsë ku energjizohen celula kriminale. Është marëdhënie e maturuar dhe e trashëguar prej fillimit të historisë së shtetit shqiptar. Rethanat historike, shoqërisë shqiptare i kanë lënë peshqesh, zakonin e adhurimit të ‘feudit’, ‘bajraktarit’, të ‘pashait’, ‘vezirit’, ‘beut’, të ‘madhit’, të fortit’, të ‘ të zotit’ pa Zot e pa fé. Dhe pastaj këta kanë bërë përsheshin që kanë dashur. Dhe shoqëria është kthyer nga adhuruese në e dhunuar dhe e mënjanuar! Ç’është e vërteta, vetë shoqëria ka shërbyer si enë komunikuese midis krimit e politikës. Pastaj i është falur kësaj kaste kriminale. Kështu është ngritur model varësie. Grupe shoqërore kanë dhënë veresie dinjitetin e tyre.
Ç’është e vërteta, qeveritë e tranzicionit kanë patur armatat e tyre të errëta të krimit.
Në një mjedis shoqëror kaq të ndikuar e polarizuar, pala tjetër ka imponuar hapjen e bashkëpunimin kritik krim-politik,për të prodhuar një rezultat fitues! Pra, ‘krimin politik’ nuk na e solli qeveria, por atë e gjeti mes nesh!
Problemi sot është të mendohet zgjidhja përfundimtare e problemit! Nuk ka më kohë!
Dy janë goditjet që supozohet të jenë fatale për krimin e politizuar dhe politikën e kriminalizuar. E para. Boritë e SPAK-ut që po vjen me furí,janë alarm për politikanët. Duket si një përbindësh i cili s’dihet çdo të marrë përpara. Fatmirësisht!
Dhe e dyta. Ministri i ri i ‘rendit publik’. Një emërim i fortë politikisht. Me synimin të nis shkëputja dhe numërimi mbrapsht në trafikun ‘politikë-krim pa ndëshkim’. Si në një ‘luftë brenda llojit’. Z.Balla ka riorganizuar punën. Duke u shprehur se ‘ deputetin që iu ndërhynë në punën tuaj , adresojeni tek unë’, ai vendosi një lidhje direkte , të shkurtër e shtensionuese me terrenin. Kur kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve me policinë, ai do t’i pritet udhë elementit kriminal. Domethënë të prishet ‘ena komunikuese’ me politikën dhe jo vetëm. z.Balla,figura qëndrore e PS, është zgjedhur për t’i bërë ballë dhelpërisë politike në kriminalitet. Madje nëse ai nuk e përballon, zor se do të gjendet burrë që do të marrë përsipër atë detyrë pas tij. Është e do të jetë ministri më i goditur nga opozita. Fakti që opozita nuk ‘ankohet’ pse do të jetë i shumëakuzuari i tyre, ai që do të organizojë zgjedhjet (kurdo të mbahen), lë të kuptohet se liderët opozitarë shpresëthyer mjaftohen me pushtetin ‘patriarkal’ mbi partitë e tyre!
Në shoqërinë tonë bashkëjetuese me krimin, ky binom mund të realizoi një ndryshim apokaliptik. Faleminderit Amerikë! Prandaj rezultatet e freskëta të drejtësisë re janë shumë inkurajuese. Arrestimet majtas,në dukje selektive po kurrësesi të padrejta, kanë rritur vetëkënaqësinë e opozitës. Arrestimet majtas, për opozitën mund të konsiderohen si medalje në qafë,por janë vetëm gjerdanë që pak nga pak do bëhet lak!