Nga Carlo Bollino/

Ajo që ndodhi tri ditë më parë në Thumanë tregoi një bashkëveprim të rrezikshëm mes krimit, politikës dhe institucioneve shtetërore. Një bandë keqbërësish, të gjithë të afërm të deputetit socialist Rrahman Rraja, dhunuan dhe për pak vranë dy kushërinj që kishin guxuar të reagonin ndaj arrogancës së tyre.

Kulmi i këtij akti dhune është se të sigurtë se gëzonin privilegjin e pandëshkueshmërisë totale, vetë autorët e filmuan dhe më pas e qarkulluan videon për ta përdorur si shembull dhe mësim për të gjithë, që asnjë qytetar tjetër të mos guxonte të rebelohej.

Historia tashmë dihet. Familja Rraja mori koncesionin për të hapur një gurore në Borizanë, por shpërthimet e shkaktuara për nxjerrjen e gurit dëmtuan dhjetëra banesa, duke shkaktuar protesta nga banorët dhe rreth 40 denoncime në polici, të gjitha të mbyllura në sirtarët e komisariatit të policisë lokale. Dy nga banorët më aktivë se të tjerët në denoncime janë kushurinjtë Maja, të cilët klani i Rrahman Rrajës i masakroi me shkopinj bejsbolli dhe i kërcënoi duke i drejtuar armët.

Një histori dhune mafioze që nxorri në dritë edhe lidhjen e rrezikshme. E para është ajo që doli mes familjes Rraja dhe policisë lokale, më shumë të shqetësuar për mbrojtjen e sulmuesve sesa të të sulmuarve. Policia jo vetëm që nuk ka ndërhyrë në gurore për të mos lejuar që shpërthimet të dëmtojnë pronat e banorëve të zonës, por sipas rrëfimit të tyre i ka kërcënuar edhe me arrestim nëse do të organizonin protesta për ta bllokuar atë aktivitet.

Pas dhunës ndaj dy kushërinjve Maja, policia ka marrë në pyetje anëtarët e familjes Rraja, por më pas i ka lënë të lirë “për mungesë provash”. Vetëm të nesërmen, kur videoja e regjistruar nga vetë sulmuesit përfundoi në media, vetëm atëherë policia u detyrua të reagonte. Por shumë prej autorëve kryesorë tashmë ishin bërë të pagjurmueshëm dhe janë ende në kërkim.

Por jo vetëm. Nga lista e të kërkuarve, policia kishte fshirë emrin e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit, i cili duket qartë edhe në video teksa godet Bilbil Majën me shkop bejsbolli. Në krah duket xhaxhai i tij, Përparim Rraja, pronari zyrtar i gurores, me pistoletë në dorë, po ashtu çuditërisht i identifikuar vonë nga policia dhe për rrjedhojë edhe ai ende i pa arrestuar.

Kur Shqiptarja.com dhe Report Tv denoncuan mbrëmjen e djeshme këto lëshime të turpshme nga policia, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shpërndau një deklaratë ku mbrojti sjelljen e policisë duke pretenduar qe “çdo insinuatë s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”. Ngjarjet e ndodhura sot e përgënjeshtruan totalisht.

Deputeti Rahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit, duke pranuar përgjegjësinë morale për atë që ndodhi. Një gjest i detyruar por dinjitoz. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi një spastrim në komisariatin e Krujës, duke pranuar kështu përgjegjësinë dhe lidhjet që kishin lindur mes punonjësve të policisë dhe krerëve të familjes Rraja. Por për të bërë vërtet drejtësi deri në fund kjo nuk mjafton.