Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës do të mblidhet ditën e sotme në orën 19:00, për të shqyrtuar kërkesën e Kryesisë së Partisë Demokratike, që kërkon shfuqizimin e vendimit të Gazment Bardhit për mbledhjen online të Këshillit Kombëtar.
Komisioni i Etikës do të hetojë veprimet e Bardhit, që sipas PD-së janë në shkelje të statutit. Kryetarja e Komisionit, Flutura Açka i ka dërguar një e-mail sekretarit të Përgjithshëm Bardhit dhe i kërkon atij që të jetë i pranishëm në seancë.
Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 korrik për kryetarin e ri. Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës. PD thotë se bardhi nuk ka vulosur vendimet e Kryeisë për procesin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye vendosën që t’ia kalojën vulën Sefës, në përpjekje për t’i hequr kompetencat Bardhit.
Ndërkohë, nga ana tjetër dy ditë para zgjedhjeve për kryedemokratin e ri, Bardhi thirri online mbledhjen e Këshillit Kombëtar, pas kërkesës së 7 deputetëve për anulimin e zgjedhjeve.7 deputetët të cilët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve brenda PD-së janë Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Sajmir Korreshi dhe Ramadan Likaj.