Deri në vitin 2030 Shqipëria do të antarësohet në BE. Lajmi vjen nga Parlamenti Europian i cili ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure raportin për Shqipërinë, i cili ka kaluar me 536 vota pro, 54 kundër dhe 32 vota abstenim. Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, u shpreh se Shqipëria po e përmbyll në kohë rekord procesin screening.
“Ne besojmë se do të krijohen kushtet që procesi i anëtarësimit në BE të përfundojë deri në vitin 2030. E ardhmja e Shqipërisë është në BE”.
Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, u shpreh se procesi screening pritet të mbarojë në muajin nëntor të këtij viti.
“Ne planifikojmë të përfundojmë procesin screening deri në muajin nëntor. E ardhmja e këtij vendi me siguri i përket Bashkimit Evropian dhe mendoj se ky është vendi që ka bërë më së shumti në këtë mandat jo vetëm për të kapur hapin e radhës, por edhe për të bërë progres real në terren dhe për të ndryshuar realitetin”, tha Varhelyi.
Në PE, Shqipëria është cilësuar, një partner i besueshëm i politikës së jashtme dhe mbetet një aleat i rëndësishëm gjeopolitik falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, thuhet në raport.