Një portret i shkrimtarit të madh çek që sapo është ndarë nga jeta. Ripërshkuajmë romanet, personazhet, idetë politike dhe vizionet ekzistenciale të njërit prej romancierëve më të mëdhenj të gjysmës së dytë të ‘900.

Në fund të romanit më të famshëm të Milan Kundera, L’insostenibile leggerezza dell’essere, protagonisti Tomáš pranon se është i lumtur: “Ama është një lumturi paradoksale ajo e tij. E siguruar jo pavarësisht skepticizmit, por falë tij. Tomáš ndjehet i lumtur në momentin ku humbet punën dhe gjithçka që e ka konsideruar si misionin e tij. Duhet shtyrë të mendojë se optimizmi është i lidhur me lumturinë dhe skepticizmi me hidhërimin. Do të thoja se është e vërtetë e kundërta”. Skeptiku Milan Kundera është ndarë nga jeta më 11 korrik në Paris (ku kishte emigruar më 1975), në moshën 94 vjeçare, por zëri i tij ishte shuar prej kohësh. Në fund të fundit kishte qenë gjithmonë një njeriu shumë i rezervuar. Në një intervistë për Philip Roth, kishte rrëfyer: “Kur isha një djalë i vogël, ëndërroja një pomadë të mrekullueshme që do të më bënte të padukshëm. Pastaj jam bërë i rritur, kam nisur të shkruaj dhe kam dashur të kem sukses. Tani që jam i njohur do të doja të kisha një pomadë që më bën të padukshëm”.

Ka qenë një shkrimtar i madh, një ndër më të mëdhenjve të gjysmës së dytë të ‘900. Romane si Lo scherzo (1967), Gli amori ridicoli (1972: libri që preferonte sepse i “lidhur me periudhën më të lumtur të jetës time”), La vita è altrove (1973) dhe L’insostenibile leggerezza dell’essere (1984), si dhe tregimet Il libro del riso e dell’oblio (1978), megjithëse kanë ndryshuar thellësisht kontekstin historik ku kanë lindur, mbesin aktualë për nga bukuria e të shkruarit, ndërtimi i personazheve dhe thellësia e reflektimeve filozofike. Të gjithë ndeshen me vdekjen e kulturës në epokën tonë. Kundera vendoset në traditën e madhe të romanit të Europës Qendrore. Referimet e tij konstante kanë qenë Kafka, Musil, Broch, Gombrowicz: “Romancierë mrekullueshmërisht mosbesues në iluzionin e progresit, mosbesues të kitsch të shpresës. Dhimbja e tyre për perëndimin e Perëndimit, jo një dhimbje sentimentale. Është një dhimbje ironike”.

Shpesh Kundera theksonte bindjen e tij se në ditën e sotme nuk ka më hapësirë për shakatë: gjithçka merret seriozisht. Lo scherzo është romani i parë shumë i bukur i Kundera. Të mëpasmit në shumë aspekte, siç është e natyrshme, janë nën variacionet e temës, por ajo alegri që është e ngulitur në natyrën e qesharakes, edhe pse ka pasoja negative, ka filluar të mungojë. Shakatë nuk janë një formë çlirimi, thekson me të drejtë Kundera, por janë një lloj frymëmarrjeje. Në vend të dramave dhe të vuajtjeve të personazheve të tij, edhe në situatat “tragjikomike”, është zhdukur ajo hije e gëzuar. Janë shakatë gjëja që Kundera, duke kaluar në Paris dhe duke adoptuar frëngjishten, ka lënë Pragën. L’arte del romanzo (1988), i shkruar tashmë në frëngjisht për një publik europian, fillon kështu: “Në 1935, tre vjet përpara se të vdiste, Edmund Husserl mbajti në Vjenë dhe në Pragë disa konferenca të famshme mbi krizën e humanizmit europian. Mbiemri “europian” përcaktonte për të atë identitet shpirtëror që shtrihet përtej Europës gjeografike (për shembull, Amerikës) dhe se ka lindur me filozofinë klasike greke. Sipas tij, për herë të parë në histori, ajo e nënkuptoi botën (botën në tërësinë e saj) si një çështje për t’u zgjidhur. E pyeste jo për të kënaqur këtë apo atë nevojë praktike, por sepse njerëzimi ishte i mbytur nga pasioni i së njohurës”. Kundera e ka çuar Europën Qendrore në vëmendjen e lexuesve të atij të Perëndimit dhe e ka bërë me intuita universalisht të njohura në sharmin e tyre. Apeli i tij ndaj së vërtetës dhe lirisë së brendshme pa të cilën e vërteta nuk mund të njihet, vetëdija se në kërkimin e së vërtetës duhet të jesh i përgatitur të përballesh me vdekjen. Kjo është ajo që Kundera e quante “shpirti i Pragës”: “Il castello e Kafka dhe Il buon soldato Scvèik i Jaroslav Hašek janë plot me këtë shpirt. Një kuptim i jashtëzakonshëm i realitetit. Pikëpamja e njeriut të thjeshtë. Historia e parë nga poshtë. Një thjeshtësi provokuese. Një gjeni i absurdes. Humorizëm me pesimizëm të pafund”.

Për të, romanet janë tregimi kaosit të botës, jeta me kontradiktat e saj, dritat dhe hijet, ndërsa filozofia, që e donte thellësisht, është tentativa për t’i dhënë një rregull: “Pasioni im për filozofinë është tipike e një eklektiku. Unë nuk rikërkoj një të vërtetë: kërkoj pasurinë e mundësisë për të parë botën. Fenomenologjia është pika e takimit midis filozofisë dhe romanit. Ajo është filozofia e gjërave që janë të qarta, përpra se shkenca t’i matematizojë (…) Në përgjithësi të gjitha mendimet që vijnë shumë lehtësisht nga një sistem, nga një dogmë, ma shpifin”.

Të gjithë protagonistët, ata meshkuj, e historive të Kundera janë të papjekur që nuk gjenden në realitet, në historinë me fytyrë të përbindshme, një vend dhe një mënyrë për ta realizuar plotësisht kushtin e tyre njerëzor. Në vend të një kuptimi njerëzor për dobësinë e karakterit të njerëzve, Kundera kërkon që të vërë në evidencë dyshimet e qëndrimeve të tyre, por duke shmangur me kujdes atë të marrjes së pozicioneve moraliste. Në thelb, të gjithë “heronjtë” e tij janë paksa meskinë, por edhe melankolisht njerëzorë dhe të ngjashëm me të gjithë ne, të prirur nga humbja apo nga nënshtrimi: “Bashkëkombasit e tij, të cilët siç është e njohur nuk e duan rolin e heroit (që lufton dhe fiton), por më shumë atë të martirit: faktikisht martirët i sigurojnë duke i konfirmuar në mosveprimin ligjor të tyre dhe duke konfirmuar se jeta ofron vetëm dy alternativa: shkatërrimin ose bindjen”. Teza e Kundera është se çdo sistem totalitar, por sistemet politike në përgjithësi, janë makina që fëminizojnë të rriturit. Duhet harruar liria, individualiteti i secilit, të bërit fëmijë, reshtja së marri me çështja politike të mëdha. Kundera vëren se në botën moderne rinia evokohet jo si një fazë, por si një vlerë në vetëvete. “Kur shqiptojnë këtë fjalë, politikanët kanë gjithmonë një qeshje idiote në fytyrë, por unë, kur isha i ri, jetoja në një periudhë terrori dhe qenë të rinjtë ata që duronin terrorin, në shumicë dërrmuese, nëpërmjet mungesës së përvojës, papjekurisë, moralitetit “gjithçka ose hiç”, kuptimit lirik të tyre”. Kjo papjekuri e përhapur është për Kundera e ardhmja jonë: “Fëmijët nuk janë e ardhmja pasi do të jetë një ditë të rritur, por sepse njerëzimi i afrohet gjithmonë e më shumë me ta, sepse fëmijëria është imazhi i së ardhmes”. Në vend të kësaj e ardhmja jonë e vërtetë nuk është fëmijëria, por pleqëria: “Njerëzimi i vërtetë i shoqërisë rezulton nëpërmjet qëndrimit të saj karshi pleqërisë. Është pleqëria, e ardhmja e vetme që secili prej nesh përballet”.

Il libro del riso e dell’oblio është një prej librave më të mirë dhe më të thellë të Kundera: një seri tregimesh që vënë në zjarr mrekullisht dhe me ironi të hidhur realitetin e vendeve të shtypura nga regjimet totalitare, por jo vetë kjo. Në titull është e përmbledhur kuptimi i filozofisë së Kundera: e qeshura, shakaja, përqeshja, satira që gërryen themelet e pushtetit, si edhe lehtësinë si shifër karakteristike të ekzistencës tonë; harresa si dhunë e historisë mbi njerëzit. Në libër, Çekosllovakia duket si “shkretërira e harresës së organizuar”. Mirek (protagonist i tregimit La lettera perduta) faktikisht thekson se: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është luftë e kujtesës ndaj harresës. Individët axhitohen në jetën e tyre të përditshme: disa luftojnë pikërisht për të dalë nga ajo kapë anonimiteti që përbën një prej elementëve thelbësorë të ruajtjes, nga ana e pushtetit, e një konsensusi pasiv të popullsisë”. Për një paradoks, thekson Kundera, është në themelet e policisë pavdekësia jonë unike. Në tregimin Gli angeli, që përfaqëson triumfin e ankthit të infantilizimit, protagonistja Tamina gjendet në një ishull (shumë e ngjashme me Çekosllovakinë e viteve ‘70), plot me fëmijë vetëm fëmijë, ku dëgjohet një muzikë idiote dhe presidenti i harresës ulëren: “Fëmijë, të jetosh është lumturi!” (Deti, zit, to je stestì!) .

Paradoskalisht, por deri në një pikë të caktuar, personazhi më dinjitoz dhe koherent, për shembull tek Insostenibile leggerezza, është një qen me emrin Karenin. Kundera bën një analizë të pamëshirshme të raporteve midis njerëzve dhe kafshëve, duke filluar nga Genesi: “Qysh nga fillimi i Genesi është shkruar se Zoti e krijoi njeriun për t’i besuar dominimin mbi zogjtë, peshqit dhe kafshët. Natyrisht që Genesi është shkruar nga një njeri dhe jo nga një kalë. Nuk ekziston asnjë siguri se Zoti ia ka besuar vërtet njeriut dominimin mbi krijesat e tjera. Faktikisht ka të ngjarë se njeriu është shpikur nga Zoti për ta shenjtëruar dominimin që ai ka uzurpuar mbi lopën dhe kalin. Po, e drejta për të vrarë një dre apo një lopë është gjëja e vetme mbi të cilën i gjithë njerëzimi bie dakord vëllazërisht, edhe gjatë luftërave më të përgjakshme. Kjo e drejtë na duket e qartë sepse në majën e hierarkisë gjejmë veten tonë, por do të mjaftonte që të hynte në lojë një njeri i tretë, për shembull një vizitor nga një planet tjetër, të cilit Zoti i ka thënë: “Do të mbretërosh mbi krijesat e të gjitha yjeve të tjera!”, dhe gjithçka evidenton tek Genesi do të bëhej papritmas problematike. Një njeri u sulmuar në një karrocë nga një marsian apo ndoshta piqet nga një banor i Rrugës së Qumështit, na kujton ndoshta kotoletën e qëngjit që zakonisht pritej në pjatën e tij dhe do t’i kërkojë falje (me vonesë!) lopës”.

Masa e njerëzimit tonë është në raportin që kemi ndaj kafshëve. Kundera ka meritën që ka ngritur një reflektim mbi kitsch si “thelbi i kohës tonë”: kitsch është reduktimi i të gjitha kritereve të vlerësimit të aksioneve njerëzore ndaj madhështisë së efektit që prodhojnë. Trasformimi i racionalitetit në mizori: “Mizoria më e tmerrshme është gjithmonë e lidhur me pretendimin e letërsisë për t’u bërë vetë ajo Guida e ndritshme e Historisë”. Edhe për këtë qe shumë polemik ndaj letërsisë ruse. Nuk duronte Dostoevskij, por ashtu si Nabokov, dashuronte shumë Tolstoj: “Tolstoj ka qenë ndoshta i pari që kuptoi rolin e iracionales në sjelljen njerëzore. Roli i luajtur nga budallallëku, por sidomos nga papërgjegjshmëria e aksioneve njerëzore të udhëhequra nga nënvetëdija që është e pakontrolluar sesa e pakontrollueshme. Autori i parë i monologut të brendshëm nuk është Joyce, por Tolstoj”. Kundera i kundërvinte Dostojevskij romancierët francezë që i dashuronte shumë, si puna e Rabelais dhe Diderot: i dukej se kishin arritur të bënin një sintezë të dhimbjes, racionalitetit dhe pakuptimësisë.

Në diskutimin e falenderimit për dhënien e çmimit për panairin e Jeruzalemit (qershor 1985), Kundera tha: “Ka një proverb të shkëlqyer hebraik: “Njeriu mendon, Zoti qesh””. (siç ka nënvizuar Dennis Linder, proverbi i cituar nga Kundera është proverbi jidish Der Mensch tracht und Gott lacht. Pra do të ishte për t’u përkthyer më korrektësisht si “Njeriu bën projekte dhe Zoti qesh”). Kundera shtoi: “Më pëlqen të mendoj se arti i romanit ka ardhur në botë me François Rabelais, si jehonë e të qeshurit hyjnor, por pse Zoti qesh, duke parë njeriun që mendon? Sepse njeriu mendon dhe e vërteta i largohet. Sepse njerëzit sa më shumë mendojnë, aq më shumë mendimet e tyre divergjojnë dhe, së fundi, sepse njeriu nuk është kurrë ai që mendon se është. (…) Pikërisht kur humbet sigurinë e së vërtetës dhe konsensusi unanim i të tjerëve seë njeriu bëhet individ. Romani është parajsa imagjinare e individëve; është territori kur askush nuk e posedon të vërtetën”. Në këtë rast Kundera theksoi se hebrenjtë, të mërguar nga toka e tyre e origjinës dhe, për pasojë, të ngritur mbi pozicionet nacionaliste, kanë treguar gjithmonë një ndjeshmëri të jashtëzakonshme për një Europë mbikombtare, një Europë të konceptuar si territor, por si kulturë”.

Kundera ishte i bindur se budallallëku buron nga të pasurit e një përgjigje për pdo gjë dhe urtësia buron nga të pasurit për çdo gjë një pyetje. Siç i tha Philip Roth që e intervistonte: “Romancieri u mëson njerëzve ta kapin botën si pyetje” (Philip Roth, “The Most Original Book of the Season”, New York Times, 30 nëntor 1980). Qëndrimi i mosbesimit radikal në “racionalitetin historik dhe politik”, Kundera me siguri e ka theksuar me zhgënjimin politik. Kundera aderoi në Partinë Komuniste Çekosllovake në 1948. U përjashtua në 1950. U ripranua automatikisht në 1956. Sërish u përjashtua dhe definitivisht në 1970: “Në të kaluarën edhe unë kam besuar se e ardhmja ishte gjykatësi i vetëm kompetent i veprave dhe i veprimeve tona. Më pas kam kuptuar se flirti me të ardhmen është më i keqi i konformizmave, adhurimi më i çoshtër i më të fortit. Sepse e ardhmja është gjithnjë më e fortë se e tashmja”.

Tek L’insostenibile leggerezza dell’essere, Kundera i beson protagonistit Tomáš një refleksion tejet i ndritshëm dhe i pamëshirshëm mbi përgjegjësitë, me aktualitet të madh: “Kush mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore janë ekskulzivisht vepër e kriminelëve, lë të mos kapet një e vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se patën zbuluar rrugën e vetme drejt parajsës. Ata mbrojtën me kurajo atë rrugë, duke ekzekutuar për këtë shumë persona. Në vijim, qe e qartë se parajsa nuk ekzistonte dhe se entuziastët qenë pra vrasës. Atëhere të gjithë filluan të armiqësohen kundër komunistëve: “Jeni përgjegjës për fatkeqësitë e vendit (është varfëruar dhe katandisur si mos më keq), për humbjen e pavarësisë së tij (ka rënë në dorën e Rusisë), të vrasësve gjyqësorë”. Njerëzit që akuzoheshin përgjigjeshin: “Ne nuk e dinim! Jemi mashtruar. Ne besonim! Në thellësitë e zemrës jemi të pafajshëm!”. Diskutimi reduktohej në këtë pyetje: “Vërtet ata nuk e dinin? Apo vetëm shtireshin se nuk kishin ditur asgjë?”. Tomas ndiqte diskutimin (ashtu siç e ndiqnin të 10 milion çekët) dhe thuhej se midis komunistëve kishte me siguri kush nuk ishte krejtësisht në errësirë (duhej të kishin dëgjuar gjithmonë të flitej për tmerret që qenë kryer dhe që kryheshin akoma në Rusinë pasrevolucionare).

Por kishte mundëlsi që pjesa më e madhe prej tyre nuk dinte vërtet asgjë dhe u tha se çështja themelore nuk ishte: “Dinim apo nuk dinim?”, por: “Nëse je i pafajshëm vetëm për faktin që nuk dinin? Një budalla i ulur në fron lirohet nga çdo përgjegjësi për faktin që është budalla?”. Le të pranojmë se një prokuror çek që në fillimin e viteve ’50 kërkonte dënimin me vdekje për një të pafajshëm që është mashtruar nga policia sekrete ruse dhe nga qeveria e tij, por tani e dijmë të gjithë se akuzat qenë absurde dhe gjykatësit e pafajshëm, atëhere si është e mundur që po ky prokuror mbron pastërtinë e shpirtit të tij dhe rreh gjoksin: “Vetëdija ime është e panjollë, unë nuk e dija, unë besoja”. Faji i tij i pashmangshëm nuk qëndron pikërisht në atë “Unë nuk e dija! Unë besoja!”? Qe atëhere që Tomas i erdhi në mendje historia e Edipit: Edipi nuk e dinte se flinte me nënën e tij, por e kuptoi atë kishte ndodhur nuk u ndje i pafajshëm. Nuk mundi të duronte masën e fatkeqësive që kishte shkaktuar me padijen e vet, nxorri sytë dhe, i verbër, u largua nga Teba. Tomas dëgjonte ulërimën e komunistëve që mbronin pastërtinë e brendshme të tyre dhe thoshte me vete: “Për fajin e vetëdijes tonë toka jonë ka humbur për shekuj me radhë lirinë e saj dhe ju ulërini se ndjeheshit të pafajshëm? Si mund të shikoni akoma përreth? Si mund të mos provoni kapriço? Jeni apo nuk jeni të aftë të shikoni? Sikur të kishit sy, duhet t’i hiqnit dhe të largoheshit nga Teba!””.

Qysh nga vitet ’80 (intervista, nën kujdesin e Olga Carlisie, është shfaqur në New York Times më 19 maj 1984), Kundera nuk besonte më as tek e majta, as tek e djathta. I gjente koncepte të tejkaluara: “Rreziku që na kërcënon është perandoria totalitare. Khomeini, Mao, Stalini: janë të majtë apo të djathtë? Totalitarizmi nuk është kurrë as i majtë dhe as i djathtë, bile brenda dominimit të tij të dy vdesin. Nuk kam qenë kurrë besimtar, por pasi kam parë katolikët e verbër që janë persekutuar gjatë terrorit stalinist, kam ndjerë solidaritetin më të thellë ndaj tyre. ajo që na ndante, besimi tek Zoti, ishte dytësor respektivisht asaj që na bashkonte. Në Pragë i varnin socialistët dhe priftërinjtë. Lindi kështë një vëllazëri midis të varurve. Është për këtë që lufta këmbëngulëse midis të majtës dhe të djathtës më duket primitive dhe mjaft provinciale. Urrej të marrë pjesë në jetën politike, pavarësisht se politika më magjeps si spektakël. Një spektakël tragjik, vdekjepurës në Lindje; intelektualisht shterp, por argëtues në Perëndim…”.
Sot nuk është as kështu: patjetër më keq dhe vlen gjithmonë ajo barcaleta boheme që Kundera pëlqente ta tregonte: “Një çek bën një kërkesë për vizë emigrimi. Funksionari e pyet: “Ku do të shkosh?”, “Nuk ka rëndësi”, i përgjigjet njeriu. I jep një hartë bote: “Ju lutem, zgjidhni”. Njeriu e sheh hartën e botës, kthehet me ngadalë dhe i thotë: “Nuk keni një hartë tjetër bote?”.

(nga MicroMega)

Përgatiti

ARMIN TIRANA