Përkujtohet 110-vjetori i lindjes së mjekut të njohur Koço Gliozheni. I pranishëm në ceremoninë e organizuar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një qytet i mirë duhet të kujtohet gjithmonë për figurat e tij.

“Nëse kuptojmë se aseti numër një janë njerëzit, atëherë mund të bëjmë gjëra të mira dhe të mbara për këtë qytet”, tha Veliaj.

Veliaj u ndal edhe tek kërkesa që kanë vendet e huaja për profesionistë të bluzave të bardha nga Shqipëria. Ai e cilëson këtë si një kompliment që vjen nga bota perëndimore.

“Kjo kërkesë e madhe për studentët tanë është komplimenti më i madh që i bëhet sistemit tonë, qoftë arsimor, qoftë shëndetësor, që mund të ketë pasaktësitë e veta, ama në thelb kjo kërkesë kaq e madhe është edhe një kompliment i madh për ata që sot i kanë me flokët me thinja ose janë në celuloid si doktor Koço”, u shpreh Veliaj.

E pranishme në ceremoninë përkujtimore ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Sot na bashkon pikërisht forca e shembullit të një njeriu, i cili gjithë jetën ja kushtoi mjekësisë, ja kushtoi shërbimit dhe pacientit”, tha Manastirliu.

I njohur si revolucionar në mjekësinë shqiptare Koço Gliozheni ka kontribuar në fushën e obstretik-gjinekologjisë.