Për herë të parë, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, prek sot tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri në 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.
Clinton do të pritet me ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama ndërsa do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”. Presidenti Clinton do të mbajë edhe një fjalim përgjatë Ceremonisë. Kjo është vizita e parë e presidentit të 42 të SHBA në Shqipëri.
Vetë Rama pak ditë më parë në një konferencë për shtyp paralajmëroi se kishte një dhuratë të madhe me datë 4 korrik, por nuk bëri me dije se për çfarë e kishte fjalën. Vizitën e Clinton, që njihet edhe si president nderi për shqiptarët, për vetë ndikimin pozitiv që ka mbajtur për Shqipërinë e Kosovën, është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare.
Ish kryeministri Sali Berisha tha se ai vjen si një hero kombëtar për kontributin që ka dhënë për kombin tonë.
Bill Clinton gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UCK.
Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës.
Rrugët që do të bllokohen në kuadër të vizitës së ish presidentit amerikan:
Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.
Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.