Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka theksuar nga Kukësi, ku prezantoi prefektin e ri të qarkut, Albert Halilajn se ka ardhur koha të rishikohet roli i prefektit.

I shoqëruar nga drejtuesi Politikë i Partisë Socialiste në Kukës, Pandeli Majko, Balla tha se prefekti duhet të monitorim të gjitha vendimet e marra nga Këshilli Bashkiakë.

“Natyrshëm është dhe marrëdhënia e prefektit me të treja Bashkitë. Të gjitha vendimet e këshillave konfirmohen nga prefekti. Prandaj z. prefekt roli juaj merr një rëndësi shumë të madhe, pasi duhet vlerësuar ligjshmëria e tyre. Nëse konstatohet se vendimi i këshillit bashkiak bie ndesh me legjislacionin apo interesat publike, ju keni të drejtë ti rikthesh për rishqyrtim” tha Balla.

Sipas tij, duhet rishikuar ligji për prefektin, për ta ri-dimenisonuar rolin e tij. “Ka ardhur koha për të rishikuar dhe ri-dimensionuar rolin e prefektit në kuadër të reformës administrative terroriale dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore”, shtoi Balla, duke theksuar se me ligjin aktual, prefekti është autoriteti më i lartë vendor.

Balla në fjalën e tij vuri theksin edhe te shërbimet publike të cilat duhet të jenë sa më të aksesueshme për publikun.

“Duhet të përmirësojmë shërbimet publike. Është e rëndësishme që në këtë kohë dhe në këtë pikë të pushimeve një pjesë e motrave dhe vëllezërve që kthehen nga emigracioni ti krijojmë kushtet dhe shërbimet të jenë pa ndërprerje” u shpreh ai.

Albert Halilaj u emërua si Prefekt i qarkut Kukës nga Kryeministri Edi Rama më 19 korrik, pas lirimit nga detyra e prefektit të qarkut Kukës të Ali Hallaçit.