Rebelët e rinj u përleshën me policinë dhe plaçkitën dyqanet gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës, (1 korrik 2023) në natën e katërt të trazirave në Francë të shkaktuar nga vrasja e adoleshentit 17 vjeçari nga një efektiv policie.
Situata dukej disi më e qetë në krahasim me 3 netët e mëparshme, sidoqoftë trazirat përfshinë disa qytete në të gjithë vendin.
Rreth orës 3 të mëngjesit, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i tha kanalit kabllor të lajmeve BFMTV se 471 arrestime u bënë gjatë natës, krahasuar me 917 një natë më parë.Në Marsejë, oficerët arrestuan gati 90 persona ndërsa grupet e protestuesve dogjën makina.
Mosha mesatare e të burgosurve është 17 vjeç, por mes tyre ka dhe fëmijë 13 vjeç. tha ministri i Brendshëm i Francës Gérald Darmanin duke përsëritur apelin drejtuar prindërve të mbajnë fëmijët brenda në shtëpi gjatë natës.
“Republika do të fitojë”, deklaroi ministri i Brendshëm i Francës, gjatë vizitës në një komisariat policie në Mantes-la-Jolie, në perëndim të Parisit ku gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës u dogj dhe godina e Bashkisë. Megjithatë dhuna, përplasjet dhe arrestimet nuk ndalen dhe po përhapen në disa qytete të Francës.
Në Paris u arrestuan gjatë natës 120 persona mes tyre dhe plaçkitësh dyqanesh.
Zjarrfikësit në periferinë e Parisit të Nanterre, ku ndodhi ngjarja që i morën jetën 17 vjeçarit, shuajtën flakët e ndezura nga protestuesit që lanë mbetje të djegura makinash të shpërndara nëpër rrugë. Në periferinë fqinje Colombes, protestuesit përmbysën kazanët e plehrave dhe i përdorën për barrikada të improvizuara.
Plaçkitësit gjatë mbrëmjes hynë edhe në një dyqan armësh.
Ndërtesat dhe bizneset u vandalizuan gjithashtu në qytetin lindor të Lionit, ku një e treta e rreth 30 arrestimeve të bëra ishin për vjedhje, tha policia.
Britania i ka bërë thirrje qytetarëve të tyre të shmangin udhëtimet turistike në Francë.
Videoja e publikuar në rrjete sociale, ku duket vrasja e 17-vjeçarit, Nahel,M. të martën e kaluar shkaktoi zemërim në lagjet periferike të Parisit ku racizmi është më i theksuar.
Varrimi i Nahelit është planifikuar të mbahet sot, sipas kryebashkiakut të Nanterre, Patrick Jarry.