Gazetari Lavdrim Lita tha në një intervistë për Euronews Albania se përplasjet brenda Partisë Demokratike i leverdisin Sali Berishës.

Sipas tij nëse nuk zgjidhet kryetari kjo është në favor të Berishës, i cili do të mbajë mikrofonin dhe do të rezultojë si e vetmja opozitë.

“Grupimi i Gaz Bardhit dhe 7 deputetëve të tjerë që synojnë të pengojnë zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike do të thotë që dëshirojnë ta mbajnë Partinë Demokratike në një gjendje jo funksionale edhe për një kohë të pacaktuar.

Kjo për mendimin tim favorizon shumë Sali Berishën, kreun e grupit të Rithemelimit sepse në një Pati Demokratike jo funksionale, ai është i vetmi person me mikrofon në dorë që mund të komentojë çështjet politike në parlament dhe jashtë tij, në konferenca shtypi dhe automatikisht identifikohet si kreu i opozitës,” – u shpreh Lita.

Gazetari theksoi se në këndvështrimin e tij mbajtja në një gjendje jo funksionale e PD-së, edhe pas 18 muajve pa kryetar, do të thotë që po avantazhohet një përpjekje tjetër për mbivendosje të Partisë Demokratike nga një strukturë paralele.