Të martën e 18 korrikut është zhvilluar seanca plenare për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme.
Mediu ka kërkuar që të heqë dorë nga gjykimi i shkurtuar.
Gjykata e Posaçme deklaroi se këtë duhet ta bëjë vetë i akuzuari dhe seanca u shty më 8 shtator.
Avokati i tij Ardian Visha deklaroi do të pyeten si dëshmitarë persona në SHBA, Angli dhe Itali.
“Ne nuk besojmë se shpërthimi ishte aksident. Kemi indicie për zjarr të qëllimshëm në fabrikën e demontimit”, tha Visha.
Në gjykimin e zakonshëm, avokatët thanë se do të kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve që nuk janë pyetur me herët.
Po ashtu edhe pyetjen e të pandehurve për të cilët ka përfunduar gjykimi dhe kryerjen e një akt-ekspertimi të ri për shkakun e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.
Mediu është shpallur i pandehur për çështjen “Gërdeci”, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.
Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.
Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.
Por tashmë Mediu ka hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar, që nënkuptonte pranimin e fajësisë nga ana e tij dhe dënimin me një masë më të butë, dhe kërkon rinisjen e procesit nga fillimi, me qëllim zvarritjen e procesit me vite.
Vetëm se me heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar, në rast të shpalljes fajtor, dënimi do të jetë më i madh.