Kylian Mbappe është lënë jashtë skuadrës së Paris Saint Germain për turneun parasezonal në Japoni dhe Korenë e Jugut. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te PSG-ja refuzon të nënshkruajë vazhdimin e kontratës edhe me një sezon, me marrëveshjen që përfundon verën e ardhshme.

PSG dëshiron të shesë sulmuesin e Francës këtë merkato dhe të sigurojë një shumë të majme transferimi, në vend që ta lërë të lirë verën e 2024. Mbappe ka thënë se dëshiron të qëndrojë me PSG-në edhe për një vit përpara se të largohet pas skadimit të marrëveshjes së tij aktuale. Besohet se ai synon t’i bashkohet Real Madridit si lojtar i lirë verën që vjen.

Aktualisht Mbappe është lojtari më i shtrenjtë në botë, teksa vlera e tij në “transfermarkt” është 180 milionë euro. Fakt është se pas takimit me presidentin Al Khelaifi, Mbappe nuk është bindur për rinovimin, me klubin e sheikëve që ka vendosur lënien jashtë ekipit për të.