Në fjalimin hapës të ceremonisë së nderimit të presidentit Bill Klinton, kryeministri Edi Rama ka shprehur dhe admirimin për ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë si politikan.
Kreu i qeverisë, u shpreh se ka ndjekur dhe studiuar të gjitha fjalimet e Klinton dhe madje ka mësuar nga mënyra sesi ai komunikonte me njerëzit, duke e cilësuar presidentin si një ndër oratorët më të mirë të historisë.
“Nuk ka qenë kurrë më e vështirë për mua se të përgatitem të flas këtu, duke e ditur se pas meje do ta marrë fjalën një njeri, të cilit, ia kam parë e lexuar fjalimet për shijen e jashtëzakonshme të udhëtimit drejt një bote më të mirë.
Ia kam ridëgjuar presidentit Klinton ato që ka thënë për të mësuar prej përmbajtjes dhe artit të pashembullt të komunikimit, duke i nënvizuar hapjet, ndjekur intonacionet dhe admiruar atë që nuk mësohet, empatinë magjepsëse që e bën presidentin Klinton ndër oratarët më të mirë që ka njohur historia”, tha Rama.