Juventusi po përgatit ndryshime të mëdha në skuadër. Një rifreskim i madh pritet nga fillimi i sezonit dhe këtë herë trajneri Massimiliano Allegri dhe drejtori sportiv Cristiano Giuntoli kanë kryer spastrimin e parë të madh.

Leonardo Bonucci, Weston McKennie, Arthur Melo dhe Denis Zakaria nuk do jenë më pjesë e “Zonjës”, teksa ka qenë vetë klubi që i ka komunikuar lojtarëve se nuk janë në plane. Nga e premtja, lojtarët e përmendur nuk do të jenë më me ekipin e parë të Juventusit. Natyrisht që bie në sy emri i Bonuccit, pasi pjesën dërrmuese të karrierës së tij profesionale e ka kaluar si pjesëtar i Juventusit duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Mbrojtësi i Italisë iu bashkua “Zonjës së Vjetër” në vitin 2010 dhe që atëherë është pjesë e tyre, me përjashtim të një sezoni kur u transferua te Milani, për të cilin tifozët bardhezi nuk ia falën kurrë.

Ai luajti gjithsej 502 ndeshje për Juventusin dhe shënoi 37 gola. Flitet për një lëvizje të mundshme të Bonuccit te Roma ose Lazio dhe në të njëjtën kohë një kalim në Premier League ose në Arabinë Saudite.