Babë e bir kanë rrezikuar të mbyteshin pasditen e kësaj të shtune në plazhin e Spillesë.

Policia thotë se bashkë me rojën e plazhit se ata u shpëtuan ndërkohë që po rrezikonin mbytjen teksa po laheshin në det.

44-vjeçari dhe djali i tij 9 vjeç u nxorën në breg dhe iu dha ndihma e parë. Aktualisht ata ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Edhe dy turistë finlandezë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në zonën e quajtur “Shpella e Piratëve”, në Karaburun kishin humbur kontrollin e mjetit lundrues kanoe, për shkak të dallgëve, dhe e kishin të pamundur kthimin në breg.

Policia Kufitare e Vlorës ka ndërhyrë dhe ata janë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.

Më herët, 28 turistë u shpëtuan në zonën e Karaburunit, pasi anija e tyre kishte pësuar defekt në mes të detit.