Ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Rudy Giuliani ka pranuar se ka bërë komente publike të rreme, duke pretenduar se dy punonjëse që janë marrë me administrimin e zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, kanë manipuluar votat gjatë garës presidenciale të vitit 2020. Por nga ana tjetër, zoti Giuliani thotë se ai është i mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës, që garanton mbrotje për lirinë e shprehjes.
Ky pohim i zotit Giuliani, bëhej i qartë në dokumentet e paraqitura në gjykatë, si pjesë e një padie të ngritur nga Ruby Freeman dhe Wandrea “Shaye” Moss, nënë e bijë. Zoti Giuliani ka qenë pjesë e ekipit ligjor të ish-Presidentit Donald Trump dhe është përpjekur të përmbysë rezultatin në ato që njihen si shtete fushëbeteje.
Në padinë e depozituar dhjetor të vitit 2021, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, akuzohet për shpifje, pasi ka deklaruar në mënyrë të rreme se nënë e bijë, kishin mashtruar gjatë procesit të numërimit të votave në qendrën e tyre (State Farm Arena), që ndodhet në Atlanta.

Po kështu në padi thuhet se zoti Giuliani në mënyrë të përsëritur kishte nxitur pretendime, të hedhura poshtë me prova, se zonja Freeman dhe zonja Moss, kishin nxjerrë valixhe me fletëvotime të paligjshme, e kishin kryen akte të tjera mashtrimi, në një përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.
Megjithëse zoti Giuliani nuk e kundërshtoi faktin se deklaratat e tij ishin të rreme, ai nuk ka pranuar se ato i kanë shkaktuar ndonjë dëm zonjës Freeman dhe zonjës Moss.
Ky dallim është i rëndësishëm sepse paditësit në një çështje për shpifje, duhet të provojnë jo vetëm që një deklaratë e bërë në lidhje me ta është e rreme, por se ajo, ka shkaktuar për pasojë, dëme reale ndaj tyre.
Gjatë një dëshmie në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, zonja Moss tha se jeta e saj ishte shkatërruar nga akuzat e rreme. Ajo shtoi se kishte marrë mesazhe me përmbatje urrejtjeje e raciste, në disa prej të cilave dërguesit, “i uronin asaj vdekjen”. Po kështu në të tjera mesazhe sipas zonjës Moss, i thuhej se ajo dhe nëna se saj, do të përfundonin në burg, e se duhet të “gëzoheshin që ishte viti 2020 dhe jo 1920-ta”.
Në dëshminë e saj zonja Freeman tha se nuk ndihet më askund e sigurt.

Në një email të dërguar të mërkurën nga këshilltari politik i zotit Giuliani, Ted Goodman, thuhej se mbrotja po kërkonte pushimin e çështjes.
Michael Gottlieb, avokati i zonjës Freeman dhe Moss, tha në një deklaratë të dërguar me email, se zoti Giuliani ka pranuar “atë që ne e dinim prej kohësh se Ruby Freeman dhe Shaye Moss, kanë kryer me nder detyrat e tyre qytetare në zgjedhjet presidenciale 2020, në përputhje të plotë me ligjin dhe se akuzat për manipulime që ai dhe ish-Presidenti Trump bënë kundër tyre, kanë qenë të rreme që nga dita e parë”.
Gjykata duhet të vendosë ndër të tjera edhe mbi dëmet potenciale që u janë shkaktuar dy zonjave. Zoti Gottlieb tha se ato “ndihen të gëzuara me këtë moment të rëndësishëm në betejën e tyre për drejtësi dhe mezi presin të paraqesin të tjera prova në gjykatë”.
Gjatë një paraqitjeje në gjykatë, zoti Giuliani i kërkoi gjykatësit ta rrëzonte padinë, duke argumentuar se deklaratat e tij mbroheshin nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës që njeh të drejtën e lirisë së shprehjes. Por gjykatësi Beryl Howell e hodhi poshtë këtë kërkesë.
Prokurori i Posaçëm Jack Smith dhe ai i Qarkut Fulton, Fani Willis, të cilët po hetojnë përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, kanë treguar interes për atë që ndodhi me zonjën Moss dhe Freeman.
Ekipi i zotit Smith i ka bërë kërkesë zyrtare, zyrës së Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, për çdo video të ditës së zgjedhjeve nga qendra “State Farm Arena”. Zoti Willis ka kërkuar dëshmi, lidhur me deklaratat e disa prokurorëve se një grua udhëtoi nga Çikago në Xhorxhia, në janar 2021 dhe u përpoq t’i ushtronte trysni zonjës Freeman, e për ta detyruar atë që të pranonte se kishte kryer manipulime zgjedhore.
Në padinë për shpifje fillimisht përmendej edhe kanali televiziv kabllor konservator ‘One America News Network’, pronarët e tij dhe korrespondenti kryesor i Shtëpisë së Bardhë, të cilët akuzoheshin për nxitje të pretendimeve të rreme. Por ata u hoqën nga padia në maj të vitit 2022, pasi arritën një marrëveshje me zonjën Moss dhe atë Freeman, kushtet e së cilës nuk janë bërë publike.