Nga Carlo Bollino/
Kishin të drejtë si Sali Berisha, ashtu dhe Ilir Meta që bënë rekurs kundër rezultatit të votimeve në Rrogozhinë dhe që kërkuan anulimin. Ajo diferencë prej vetëm 21 votash në favor të kandidatit socialist, fituar me 14 maj, nuk mund të ishte e vërtetë. Dhe në fakt, dje u rivotua dhe diferenca u zmadhua me 1700 vota. Në provën e apelit, Berisha dhe Meta humbën pra edhe në Rrogozhinë me të njëjtën diferencë të thellë me të cilën dy muaj më parë humbën në të gjithë Shqipërinë. Për ta është konfirmimi përmes një katastrofe tjetër të vogël politike, i katastrofës së madhe të përgjithshme të përjetuar dy muaj më parë.
Ky rezultat nuk është i papritur për askënd, as për Berishën, që në fakt prej ditësh përsëriste denoncimin e zakonshëm për manipulime që e përdor prej vitesh, sa herë që në horizont sheh një shpartallim zgjedhor. Për të fituar, duhen bashkuar forcat, ndërsa bashkimi në koalicion mes Berishës dhe Ilir Metës, edhe këtë herë, konfirmohet si shuma e dy dobësive. Kjo, pa i hequr asnjë meritë triumfit personal të Erjon Veliajt, i cili e drejtoi vetë në Rrogozhinë fushatën zgjedhore, duke shpartalluar edhe këtë herë “Bashkë fitojmë” ne area qe drejton dhe duke u rikonfirmuar një figurë e fuqishme në brezin e ri të socialistëve.
Problemi që duhet të bëjë të reflektojë opozitën është se Berisha dhe Meta janë humbës shumë më shumë nga sa Edi Rama dhe Erjon Velija janë fitues. Kjo humbje e njëpasnjëshme, përbën provën e prapambetjes së tyre: Shumica e shqiptarëve në këto 30 vite është zhvilluar dhe modernizuar, ndërsa ata, jo! Kjo shpjegon se përse elektorati që i qëndron besnik, tashmë është shndërruar në minorancë të papërfillshme. Të gjithë të tjerët po ecin përpara, përtej. Ndërsa kjo është minoranca e atyre shqiptarëve që i besojnë akoma gënjeshtrat e Berishës (dhe të Metës), që u beson shpifjeve, kërcënimeve, që beson në gjuhën e dhunshme dhe vulgare si një formë beteje politike. Jo i gjithë populli opozitar është kështu, por derisa Berisha dhe Meta do të vazhdojnë të pushtojnë frontin e opozitës pa një alternativë të fortë ndaj uzurpimit të tyre, opozitarët e vërtetë nuk votojnë. Dhe sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë populli do të ecë përpara, do të zhvillohet, do të kuptojë dhe ajo minorancë do të konsumohet duke u shndërruar gjithnjë e më shumë minorancë. Opozita e shëndetshme ka shumë hapsirë për t’u rritur. Ndërkohë, çdo humbje zgjedhore e politikanëve si Sali Berisha duhet të jetë një ditë feste, sepse tregon se sa Shqipëria po bëhet përditë e më shumë një vend modern dhe europian.