Nga Alba Malltezi/
Tashmë nuk janë më njerëz të Partisë Demokratike. Nuk kanë asgjë të përbashkët me një parti, as me një opozitë. Janë një grup njerëzish, që siç e patëm parashikuar, sa vjen e zvogëlohen dhe… ngurtësohen. Si një statujë, me mburojë dhe me shtizë.
I sheh të ngrysur rreth liderit të tyre të turpëruar me dy “non grata” ndërkombëtare dhe nuk hanë as arsyetim as logjikë. Kanë vetëm një synim: Të shajnë e të sulmojnë ata që mendojnë se kanë ndikuar që “Saliu” i tyre të damkoset nga dy superfuqi. Nuk u shkon nëpërmend se mos ndoshta, vallë, bën vaki, që faji të jetë tek vetë i emëruari “non grata” dhe njerëzit e tij. Mos ndoshta, ata, familjarisht, të gjithë bashkë iu turrën të voglës Shqipëri për ta bërë kockë e lëkurë.
Asnjë nga këta salih-janë nuk e pyeti njëherë për vilën më gjigande buzë detit Adriatik në Gjirin e Lalëzit, asnjë nga këta Salih-janë nuk guxon ta pyesë se si gjendet tek një zyrë superluksoze në një kullë të bukur në Tiranë (në adresë të së cilës i shkojnë edhe letrat e shpalljes “non grata”), ai, Saliu i tyre, që e mbrojnë me mburojë dhe me shtizë. Mbledh nëpër televizione përreth “gazetarë” që gazetarë nuk janë dhe as njëri, as me gjysëm zëri të paktën t’i kërkojë: Si i bëri 19 kulla në oborr të qëndrës sportive dhëndrri rrogëtar? E më pas ta pyesin, si vazhdojnë të bëjnë jetë luksi familjarisht, udhëtime të shtrenjta, vende pasanikësh botërorë. Ku e kanë këtë fuqi? Dinë vetëm të përsërisin në pafundësi: po kanë kaq vite në opozitë!
Njerëzit në pushtet, dihet, sa më shumë të qëndrojnë, aq më shumë ua trazojnë stomakun qytetarëve të thjeshtë. Njeriu, sa më shumë të qëndrojë në pushtet, aq më shumë largohet, bëhet i padepërtueshëm ndaj njerëzores, empatisë, mirënjohjes; ndodh kështu kudo, ndodh kështu edhe në Shqipëri. Por, nëse si alternativë përballë tyre, ndodhet një Sali dhe ato pak salih-janët e tij, qytetarët marrin frymë thellë, bëjnë një sodë me ujë dhe me limon, e vazhdojnë të mendojnë për të keqen më të vogël në Shqipëri.
Nuk është as SHBA, as Anglia e as ata që kundërshtojnë Saliun në Shqipëri shkaktarët e katandisjes së tij. Babëzia dhe vetëm babëzia i ka bërë si statuja të pajisur me mburojë e me shtizë. Por statujat, mbeten statuja. I përkasin tashmë historisë.