Nga Çapajev Gjokutaj/
Sara më zbukuroi mëngjesin. Nëse do më pyesnit kush është Sara, vështirë se do ju jepja ndonjë pergjigje të hajrit. Nuk e njoh, e hasa rastësisht sot në një nga emisionet radifonike të mëngjesit, nderkohë që po i jepja makinës për të vajtur në një qendër tregtare.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit, Sara shpjegonte se ishte gjimnaziste dhe ndiqte shkollën në Hollandë. Aplikova në një konkurs për të nxitur jetën në komunitet dhe fitova. Projekti është i thjeshtë, me një mbështetje modeste financiare duhet të ndihmoj krijimin e një dhome argëtimi në spitalin onkologjik të QSUT.
Nga rasti i babit, vazhdoi, kam mësuar se, për një të sëmurë me kancer s’ka rëndësi vetëm mjekimi, por edhe gjëndja e tij shpirtërore. Dua të ndihmoj sadopak për këtë, përfundoi duke grishur dëgjuesit ta njoftonin nëse dëshironin të dhuronin libra, lojra tavoline, videolojra etj.
Një vajzë fare e re, mendova, siguron një grusht paresh, i sjell në atdhe dhe harxhon edhe një pjesë të pushimeve verore për t’u ardhur në ndihmë disa njerëzve që s’i njeh personalisht.
S’është ndonjë gjë e madhe, do të thoshte ciniku, dhe patjetër që do kishte të drejtë. S’është e madhe, po është e bukur si një lule lëndine dhe të bën të ndihesh mirë.
Kjo pranëvenia ‘e madhe – e bukur’, s’di pse më solli në mend Bertold Brehtin, kur thoshte ‘mjerë ai popull që ka nevojë për heronj’.
Nuk më kujtohej konteksti ku shkrimtari e ka thenë, ndaj nisa të vras mendjen: ç’mesazh ka dashur të na përcjellë?
Mjerë ai vend që i ka heronjtë të paktë, ndaj ndjen nevojën e tyre? Apo mjerë ai vend që dërdëllis për hallet pafund dhe e pret shpëtimin nga heronj kordhëtarë e të jashtzakonshëm?