Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç reagoi ashpër pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpallur “të padëshirueshëm”, kreun e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit dhe ish-ministrin Aleksandër Vulin.
Lideri serb bëri ironi në lidhje me këtë vendim të fundit të SHBA, por kërkoi një hetim të thellë në lidhje me arsyetimin e SHBA për të shpallur “non grata” Vulin.
“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, tha Vuçiç.
Një ditë më parë, Departamentin amerikan i Thesarit tha se Vulini është përfshirë në afera korruptive që kishin si synim të çonin përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Sipas Radios Europa e Lirë, Vuçiç nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Vulini duhet të shkarkohet pas vendosjes së sanksioneve amerikane.
“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiç.