Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një postimi në rrjete sociale njoftoi hapjen e thirrjes për punonjës të shërbimit psiko-social, i cili këtë vit sjell edhe një risi për ata punonjës ekzistues që kërkojnë të bëjnë lëvizje paralele, brenda zyrës arsimore ku janë të punësuar.

“Sapo kemi shpallur thirrjen për punonjës të shërbimit psiko-social në shkolla, me qëllim fuqizimin e këtij shërbimi dhe mbulimin më të plotë të nevojave në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat periferike dhe të largëta”, tha ministrja.

Kjo procedurë, vijoi Kushi, këtë vit sjell edhe një risi, si përgjigje e kërkesave të vazhdueshme të vetë punonjësve psiko-social.

“Të gjithë ata që dëshirojnë të kryejnë lëvizje paralele brenda zyrës arsimore ku kanë tashmë emërimin e përhershëm, mund të dorëzojnë kërkesën me postë në DRAP-in përkatës brenda datës 4 gusht 2023. Ndërsa për kandidatët që kërkojnë të punësohen për herë të parë, aplikimet janë të hapura deri në datën 9 gusht 2023 dhe dorëzimi i dokumentacionit bëhet përsëri me postë në DRAP”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, shpalljet e vendeve vakante bëhen sipas zyrave arsimore, në varësi të përfundimit të procedurave të lëvizjes paralele.

Kushi njoftoi se, detajet e mëtejshme janë publike në çdo DRAP, ku dhe mund të gjendet i gjithë informacioni i nevojshëm, teksa shprehu mirënjohje për të gjithë punonjësit e rinj të këtij shërbimi, për punën dhe përkushtimin që tregojnë çdo ditë pranë nxënësve dhe mësuesve.